Rrëfimi emocionues i Ronaldos për lëndimet e rënda: Më kanë bërë njeri më të mirë

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi brazilian Ronaldo ka qenë njëri nga më të mirët në histori.

Pas shkëlqimit në moshën 17-vjeçare me Crueziron, Ronaldo u transferua në Evropë ku iu bashkua PSV Eindhoven.

Me vetëm 18 vite, Ronaldo bëri gjithë botën për vete falë golave fantastik dhe lojës së tij të mrekullueshme.

Fenomeni bëri karrierë të madhe duke luajtur për gjigantët evropianë si Barcelona, Inter, Real Madrid apo Milan, megjithatë problemi më i madh i tij ishin lëndimet e shpeshta.

Edhe pse të shkëlqeu te Interi, braziliani qëndroi jashtë fushave për rreth dy vite shkaku lëndimeve të rënda, ndërsa ai thotë se ato e kanë bërë njeri më të mirë.

“Kam mësuar nga lëndimet, jam padyshim një njeri më i mirë se më parë”.

“Pas lëndimit të parë, të gjithë thanë se nuk mund të rikuperohesha, se kurrë nuk kishte pasur një lëndim të tillë në futboll”.

“U frikësova, por ndjeva se do të kthehesha në lojë. Askush nuk mund të më largonte nga futbolli për shkak të një dëmtimi. E pyeta Zotin pse ma bëri këtë. M’u deshën gati dy vite për tu shëruar, por u bëra një njeri më i mirë”, deklaroi Ronaldo gjatë një interviste live me Alex Del Pieron në Instagram.

Ronaldo deklaroi se arsyeja e lëndimeve të shpeshta ishin stërvitjet jo të mira para vitit 2000.

“Lëndimet kanë ndryshuar shumë gjëra tek unë. Isha mirë, duke luajtur katër ose pesë vite pa probleme fizike. Para viteve 2000, ne stërviteshim ndryshe nga sot. Mbaj mend që stërvitja me Roberto Carlos dhe Cafù më angazhonte maksimalisht, më duhej të kapja ritmin e tyre, gjë që nuk më nevojitej dhe aq, si sulmues që isha”.

“Doja të bëja më shumë goditje drejt portës. Distancat e gjata më kanë traumatizuar gjithmonë, kemi bërë shumë kilometra. Tani ka stërvitje të personalizuara”.

“Nuk fajësoj askënd, por shpjegimi i vetëm që kam për lëndimet e mia është se jam stërvitur keq para vitit 2000. Në fakt, unë u lëndova edhe më pas, kur punoja siç duhej. Në Milano kam dëmtuar gjurin në të njëjtën mënyrë, por në këmbën tjetër”, përfundoi Fenomeni brazilian.

Të ngjashme