Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka rrëfyer para mijëra qytetarëve në Konventën Festive të PDK-së, një rast të ndjeshëm të një djali të një ish-ushtari të UÇK-së, i cili pas përfundimit të luftës kishte ëndrra të mëdha, por gjatë studimeve u detyrua të largohet në mërgim për jetë më të mirë.
Rrëfimi i Kadri Veselit:
Në këtë moment solemn, mesazhin dua ta ndërtoj mbi një rrëfim, i bindur se një të tillë e keni dëgjuar shumë prej jush.
Menjëherë pas luftës, një familje ndërtoi një fermë bujqësore, sepse ishte e vendosur të punonte vetë dhe të mos varej nga mbështetja e shtetit.
Babai dhe nëna kursyen paratë për shkollimin e fëmijëve, sepse besonin që duke investuar në arsimim të mirë, fëmijët e tyre do t’i kishin mundësitë që i meritonin dhe një të ardhme më të mirë.
I rritën ata në vlera të lirisë dhe dashurisë për shtetin.
Djali i tyre i madh përfundoi studimet në Universitetin e Prishtinës, ndërsa punonte si kamarier që t’ua lehtësonte barrën prindërve.
Por, ëndrra e tij ishte të punonte në sektorin financiar, për çfarë edhe kishte studiuar.
Aplikoi për punë në disa vende, në sektorin privat dhe publik, por mundësitë ishin të pakta, ndërsa shokët e tij të studimeve, edhe pse me nota më të ulëta, punësoheshin në institucione – falë lidhjeve që kishin.
I dëshpëruar, ai vendosi të largohet nga Kosova dhe të shkojë në Gjermani. Atje gjeti punë me lehtësi dhe nisi një jetë të re. Për fat të keq, ne të gjithë e njohim nga një i ri si ky.
Është e vërtetë, të rinjtë tanë premtues po largohen nga shteti ynë i ri, për shkak të mungesës së mundësive dhe për shkak të korrupsionit e nepotizmit. Po na largohet aseti më i madh i Kosovës, të rinjtë tanë.
Dhe, ne duhet ta pranojmë, po rrezikojmë që pas një sakrifice të jashtëzakonshme, me të cilën fituam lirinë dhe shtetin, ta humbim perspektivën në liri.
A mund ta lejojmë këtë? A guxojmë ta pranojmë këtë? Jo. Asnjëherë, jo.
Kur e kemi nisur luftën për liri, si njëri nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam besuar fuqishëm se do ta arrijmë lirinë. Lirinë që garanton zhvillimin dhe perspektivën e qytetarëve tanë.
Sot, 20 vjet pas fitores së lavdishme të asaj lufte, nuk do të lejoj që të vihen në dilema ato vlera.
Nga askush dhe për asgjë.
Shpirti i sakrificës dhe solidaritetit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dje, duhet që të jetë shembull i luftës për karakterin e shtetit tonë sot.
E kemi përfunduar luftën për pavarësi, por nuk e kemi përfunduar luftën për shtetin e së drejtës, për shtetin si garanci e zhvillimit.
Prandaj, sot jam këtu, për t’u zotuar para jush, se ashtu siç kam luftuar për çlirimin e Kosovës nga Serbia, ashtu do të luftoj, së bashku me të gjithë ju, që ta çlirojmë Kosovën nga korrupsioni, nga nepotizmi dhe nga abuzimet.
Dhe, do ta përmbushim vizionin tonë për Kosovën me mundësi të barabarta për të gjithë, ekonomikisht të fortë, pa korrupsion dhe me njohje të plotë ndërkombëtare.