Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë fjalimit të saj në Kuvendin e Shqipërisë ka përmendur vendosjen e traut mes dy vendeve, duke theksuar se në kohën e integrimit evropian vendosja e çfarëdo barriere komunikimi mes dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare.
“T’i kthejmë dallimet tona në forcë për t’i shtyrë shtetet tona përpara. Kosova zonja e zotërinj nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit evropian vendosja e çfarëdo barriere komunikimi mes dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë siç deshën të parën tanë, ashtu siç duam ne dhe siç do duan dhe fëmijët tanë”, tha Osmani.
U.d e presidentit të Kosovës me këtë rast ka treguar dhe një pjesë të historisë së saj familjare, për gjyshin që vdiq nga torturat në burgjet serbe dhe vëllain e tij që u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës.
“Përgjatë historisë sonë shumë familje janë ndarë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Të tillë e kishte fatin dhe familja ime. Gjyshi im, babai i nënës sime kishte përjetuar tortura të tmerrshme në burgjet e regjimit serb dhe në fund kishte vdekur nga ato tortura, ndërsa xhaxhai i nënës sime, vëllai tjetër Sulejman Vuçiterna, kryetar i Akademisë Ushtarake këtu në Shqipëri, kishte mbetur në Shqipëri, por u varros për së gjalli nga regjimi i Enver Hoxhës. Kjo histori e dhimbshme e ndarjes së familjeve, por e vuajtjeve në të dyja anët e kufirit është historia e mijëra familjeve shqiptare. Lë të jetë guximi i tyre, dhe i secilit shqiptar për t’u thënë jo regjimeve të dhunshme, regjimeve shtypëse udhërrëfyes për secilin prej nesh në rrugën tonë drejt demokracisë së konsoliduar e drejt një Kosove dhe një Shqipëria ku rinia jonë krenohet me vendimet që i marrim ne, si përfaqësues të tyre të zgjedhur”, ka theksuar Osmani para deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.