Vrimat e plumbave janë gjithandej zyrës së kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, pas një krize të madhe mbi pronësinë e ndërtesës ku ai kryen detyrën.
E gjitha kishte ndodhur kur nga i pari i Komunës më veriore të Kosovës, ishte kërkuar të lëshonte këtë hapësirë që u tha se ishte pronë e Komunës që funksionin me ligjet e Serbisë.
Krejt situata më pas kulmoi në këto ditët e fundit me intervenime policie, kacafytje mes serbëve e rafal automatikësh, në pikë të natës, akt të cilin direkt nuk dihet kush e ka kryer, njofton Klan Kosova.
Derisa situata për pronësinë e zyrës së tij është qetësuar, Draganit i ka dalë telashe me të birin, Aleksandrin, që po garon në zgjedhje parlamentare me subjektin e quajtur Partia e Serbëve të Kosovës.
Gjendja eskaloi të dielën e kaluar kur njerëzit e PKS-së dhe Listës Serbe u përleshën mes vete për, siç u tha, ngjitjen e posterëve të partive përkatëse.
Gjithë këto ngjarje në veri kanë një prapavijë të fortë politike.
Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi po do që të mbetet lider në elektoratin e kësaj pakice pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Andaj e akuzon Jabllanoviqin e ri se formoi parti më direktiva të Prishtinës.