Raporti me amendamente në Projekt-Rregulloren e Kuvendit ka kaluar në kryesi pa përkrahjen e komisioni parlamentar për Legjislacion.
Edhe pse shumica e anëtarëve të komisionit ishin pro këtij raporti, mungesa e 2/3 të votave bëri që ky raport të përcjellet për në seancë i pa përkrahur nga ai.
Kryesuesi i grupit punues për këtë draft-rregullore, Hajdar Beqa paraprakisht kërkoi mbështetjen e anëtarëve të komisionit.
“Është shtjerr debati, është në komision, ka met veç në fazën e votimit. Kisha kërkuar që të përkrahen të gjitha amendamentet e grupit punues. Kisha kërkuar nga ju që ta mbështesin këtë fazë. Kurse seanca është ajo që vendos”.
Kjo draft-rregullore u kundërshtua nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu.
Ajo tha se me këtë draft rregullore bëhet një kthim mbrapa i gjithë asaj çfarë është bërë deri më tani.
“Janë bërë disa amendamente, të cilat e rrezikojnë edhe funksionimin e Kuvendit. Dhe po ashtu nuk janë të favorshme për Kuvendin tonë. Me këtë draft-rregullore ne kemi bërë një kthim pas prandaj edhe nuk do ta përkrah si të tillë”.
Gjatë mbledhjes së komisionit anëtarët e tij shqyrtuan edhe amendamentet në Projektligjin për Gjykatat me ç’rast u vendos që ky raport të dërgohet në seancë me përkrahje të komisionit shqyrtues.
Kryesuesi i grupit punues, Korab Sejdiu tha se me këtë projektligj është vendosur një bazë e mirë mbi të cilën do të krijohet mundësia e funksionimit të sistemit gjyqësor.
“Ligji në fjalë na ka ardhë në gjendje jo të mire nga ministria e Drejtësisë. Kemi arrit me bë një projektligj përfundimtar dhe është një bazë e mirë që mundet me funksionu sistemi gjyqësor në Kosovë”.
Anëtari i komisionit, Hajdar Beqa propozoi që komisioni të përkrah të gjitha amandamentet të cilat paraprakisht kanë marrë përkrahjen e grupit punues.
“Konsideroj që të gjitha amandamentet që kanë përkrahjen e grupit punues të përkrahen nga komisioni dhe të shkojnë në seancë me përkrahje të komisionit e ato që nuk janë përkrahur të shkojnë në seancë pa përkrahjen e komisionit”.
Përveç raporteve të lartpërmendura, komisioni për legjislacion ka shqyrtuar edhe raportin me amendamente në ligjin për Statistika, për Ndërmarrjet Sociale, për hetim parlamentar, për procedurën jokontestimore, për trashëgimin e të tjera.