Rregullorja për Zgjedhjen e Anëtarëve të KGjK-së nga Gjyqësori është jo-ligjore

Prishtinë | 27 Dhj 2019 | 14:24 | Nga Ekonomia Online

Grupit për Studime Juridike dhe Politike në kuadër të platformës “Drejtësia sot” ka reaguar ndaj miratimit të Rregullores së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për Procedurën dhe Kriteret e Zgjedhjes së Anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga Gjyqësori (Rregullorja), për shkak që ajo është nxjerre në shkelje flagrante të parimeve fundamentale ligjore të përcaktuara më Ligjin Nr.06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (Ligji për KGjK).

Më saktësisht, mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të KGjK-së është e rregulluar me Nenin 8 të Ligjit për KGJK-në, ku edhe mbështetet Rregullorja në fjalë. Mirëpo Nenet 8, 9, 10 dhe 11 të saj nuk përputhen me qëllimin e përcaktuar në ligj. Të njejtat përcaktojnë që nëse një gjykatë themelore ka një përfaqësues në KGjK, ajo nuk mund të nominoj një tjetër, kufizim ky që është në shpërputhje me formatin e përcaktuar me ligj, i cili u referohet gjykatave themelore si bazë nominuese e jo si një konstituencë përfaqësimi. Sistemi gjyqësor nuk është një elektorat politik, ku gjykatat përfaqësohen në KGjK për t’i mbrojtur interesat e tyre; përkundrazi, kur ligji i referohet Gjyqësorit, dhe gjykatave themelore, e bën atë për qëllim të parcializimit të procesit të nominimit, dhe garacionit që ai nuk shpërdorohet nga një gjykatë e vetme dhe nuk kontrollohet nga një e më shumë kryetarë gjykatash, duke e ndarë atë nëpër ‘terrene ndikimi’. 

Së dyti, Nenet 8, 9, 10 dhe 11 parashofin parcializim të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjyqësorit në KGjK. Ky parcializim është bërë me qëllim të kontrollit të kandidaturave përmes dy proceseve të emërimi: votimit të nominimeve nëpër gjykata, dhe vetëm pasi ato të kalojnë atë fazë, vihen në disponim për votim të tërë Gjyqësorit. Ne vlerësojmë që një gjë e tillë është në shpërputhje të plotë me parimin e votës së lirë të instaluar në Nenin 8 të Ligjit, e cila nënkupton që kushdo ka të drejtë të jetë i nominuar dhe të nominohet, dhe një nominim i tillë t’i vihen në votim tërë Gjyqësorit; pa asnjë procedure filtrimi nëpër gjykata, gjë që e bën plotësisht të kontrollueshëm votën, dhe përmes kësaj, e lidh autoritetin e kryetarit të gjykatës me anëtarin e gjykatës së tij në KGjK. 

Së treti, Nenet 8, 9, 10 dhe 11 kufizojnë të drejtën për tu zgjedhur në kundërshtim me parimin e votës së barabartë të secilit gjyqtar të Gjyqësorit. Nenit 8 i Ligjit, i referohet vetëm bazës statusore të gjyqtarit të nominuar/kandiduar, e kurrsesi të drejtës së atyre gjykatave për t’i zgjedhur anëtarët e tyre në KGjK. Neni 8 nuk njeh ‘gjykatat’ por ‘Gjyqësorin’ si trupë unike votuese, dhe kjo me qëllim që të pamundësoj kontrollin e kandidaturave, dhe t’i zhbëj lidhjet ndërmjet kryetarëve të gjykatave, dhe anëtarëve të KGjK që vijnë nga Gjyqësori. Një zingjir i tillë është problem serioz në funksionimin e sotshëm të KGjK-së, prandaj edhe duhet ndjekur qëllimi legjitim që ka përcaktuar vet Ligji.

Prandaj, edhe njëherë, GLPS i kërkon KGjK-së që të i marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e ofruara dhe të anuloi Rregulloren në fjalë dhe ta sjell atë në përputhje me standardin e vendosur përmes Ligjit për KGjK-në. Cilido variant tjetër i cili nuk përmbush standardet e përcaktuara me këtë ligj, është standard jo-ligjor të cilën KGjK nuk duhet në asnjë situatë ta lejoi.

Drejtësia Sot është një iniciativë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, dhe përkrahet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së saj në Prishtinë.  Kjo komunikatë është përgjegjësi ekskluzive e Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe ajo nuk pasqyron pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës së saj në Prishtinë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme