Rrënimi i Qeverisë Kurti!

Prishtinë | 03 Gus 2023 | 17:01 | Nga Halil Matoshi

1.

Brenda tre javësh kalendarike pushteti popullist i Albin Kurtit tronditet nga afera “ZdraVVo”, “Zejtin” dhe “Gruni”; ky pushtet i zhytun në korrumptim masiv, në anën tjetër akuzon gazetarët.

Me verdiktin e fundit të Kushtetueses, Qeveria Kurti 1 dhe 2 “nxirret” shkelësi mâ i madh i Kushtetutës dhe ligjeve kosovare në historinë e shtetit!?

Plot gjashtë herë Qeveria e tij e ka shkelë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Veç për nji javë pushteti i Kurtit dy herë del shkelës i Kushtetutës, nji herë i Ligjit dhe prodhon tre afera korruptive.

2.

Javê e rândë për Kurtin!

– Më 31 korrik, 2023, në nji përgjim të siguruem nga Gazeta Nacionale, MINT dhe Rozeta Hajdari del se kanë pagu vaj ushqimor nga nji kompani polake dhe malli asnjiherë nuk ka mbrri në Kosovë;

– Të njâjtën ditë MINT kundëpërgjigjet duke ia pezullu licensën e biznesit Televizionit Klan Kosova.

– Më 1 gusht, 2023, Gjykata Kushtetuese ka konstatue se Kuvendi i Kosovës ka vepru pa bazë ligjore dhe ka tejkalue kompetencat kur ka shkarku bordin e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) më 8 korrik 2021.

– Më 1 gusht, 2023, zbulohet afera “Gruni”, me ç’rast konsiderohet së buxheti i shtetit âsht damtue për rreth 6 milionë euro.

MINT i ka pagu grunë për rezervën shtetërore nji kompanie ‘fantome’ turke dhe në dërgesë mungojnë disa tonë!?

– Më 2 gusht, 2023, Elisabeth Growing, këshilltarja britanike jep dorëheqje nga Zyra për komunitete në Qeverinë e Kosovës dhe alarmon për hajni. Del së nga kjo zyrë i janë pagu kundërligjshëm 5 mijë € vëllaut të grues së Minustrit të Brendshëm Xhelal Sfeçla, pa dijeninë e M. B.

– Më 3 gusht, 2023 Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë;

– Më 3 gusht, 2023, Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovu padinë e Klan Kosovës për me e shty ekzekutimin e vendimeve që ia suspendojnë licensën e biznesit. Ky vendim nënkupton masë të përkohshme, që garanton funksionimin e mediumit, deri në përfundimin e gjykimit. Gjykata konstaton se Pronarët e Klan Kosovës e kanë bâ përmirësimin e kërkuen në dokumentacion, tue qitë në rrenë Ministren Rozeta Hajdari dhe MINT që e thânë të kundërten.

3.

Qeveria kundër Kushtetutës!

1. Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon disa nene të Ligjit për Zyrtarët Publikë, më 3 gusht, 2023.

2. Në mars të këtij viti, Gjykata Kushtetuese kishte rrexue Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, tue e konsideru si anti-kushtetues.

3. Më mars të vitit të kaluem, Kushtetuesja kishte konstatu se Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e kishte shkelë Kushtetutën lidhun me reformat në arsim në komunën e Kamenicës.

4. Gjithashtu, gjykata kishte shoallë antikushtetues vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarun Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

5. Gjykata kishte vlerësu se vendimi nr. 01/15 të Qeverisë, i marrun me 23 marsit 2020, për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata kishte sjellë verdiktin se kufizimet që përmban vendimi i Qeverisë nuk ishin të “përcaktueme me ligj”, dhe në këtë mënyrë ishin në kundërshtim me Kushtetutën.

6. Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësu si jo kushtetues vendimin(nr. 214/IV/2020) e 12 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për shpalljen e Komunës së Prizrenit “zonë karantinë”; dhe Vendimeve [nr. 229/IV/2020], [nr. 238/IV/2020], [nr. 239/IV/2020] të 14 prillit 2020 të Ministrisë së Shëndetësisë, për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19 në territorin e Komunave të Prizrenit, Dragashit dhe Istogut.

P.S.

Ligji për Byronë për konfiskimin e pasunisë, Ligji për pagat, Ligji për çmimet tavan dhe Ligji për Pagën minimale janë në proces të shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese.

Të ngjashme