Rrënohet objekti me përmbajtje kancerogjene, nesër nuk mbahet mësim në gjimnazin Xhevdet Doda në Prishtinë

Prishtinë | 03 Tet 2021 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Është rrënuar një objekt me përmbajtje azbesti në Prishtinë. E sipas Egzon Azemit, asambleistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ky është një akt kriminal për faktin se objekti ka poseduar material me përmbajtje kancerogjene.

E në kuadër të kësaj pranë këtij objekti gjendet gjimnazi Xhevdet Doda e sipas Azemit, nesër nuk do të mbahet mësimi në këtë shkollë, për shkak të rrezikut.

“ Siç e dini ne kemi reaguar dje ndaj rrënimit të një objekti me material azbesti, ne jemi sot këtu në këtë konferencë me Driton Ibrahimin i cili më profesion është arkitekt dhe din më mirë me na tregu rreziqet e këtij materiali kancerogjen i cili dje u rrënua pa asnjë kriter e disi fshehurazi, si çdo veprim tjetër që është marrë në këtë ndërmarrje” deklaroi ai në një konferencë për media.

E sipas tij Lëvizja Vetëvendosje po tenton tash e katër muaj, ta fus në kuvendin komunal në rend të ditës seancën për ndërmarrjen publike banesore por po pengohet nga partitë tjera.

“Besoj që e dini se ne si Lëvizje Vetëvendosje po tentojmë tash e katër seanca radhazi, tash e katër muaj minimalisht ta fusim në Kuvend Komunal si pikë të rendit ë ditës, seancën për ndërmarrjet publike banesore, por është plotësisht e pakupueshme si ky bashkim i PDK-së, LDK-së, AKR-së dhe PSD-së ta pamundësojnë që në Kuvend Komunal ta kemi një diskutim të tillë” tha ai.

Po ashtu Azemi tha se kjo nuk është hera e parë që ndodhë një gjë e tillë.

“Kjo nuk është hera e parë edhe disa javë më parë, dy javë më parë saktësisht, është rrënuar një objekt i tillë në orën pesë të mëngjesit, duke shpresuar që asnjë nga qytetarët nuk do t’i sheh por fatmirësisht banorët edhe herën e parë dhe të dytë kanë arritur ta dokumentojnë këtë vendim kriminal”, përfundoi Azemi. /Telegrafi

Të ngjashme