Rreth 2,000 nxënës dhe mësues në Indonezi janë sëmurë nga helmimi me ushqim gjatë tri ditëve të fundit, në raste që lidhen me programin qeveritar për ushqim falas në shkolla.
Në rastin më të fundit, 777 persona u sëmurën pasi konsumuan ushqimin në një shkollë të mesme në Rembang, në Java Qendrore, tha drejtori i institucionit, shkruan BBC.
Ushqimet janë ofruar përmes një programi me vlerë prej miliarda dollarësh, i cili është një nga politikat kryesore të presidentit indonezian Prabowo Subianto dhe synon përmirësimin e ushqyerjes së nxënësve në vend.
Megjithatë, programi, përveçse është bërë burim i dyshuar i një sërë rastesh të helmimit masiv nga ushqimi, është përballur edhe me akuza për korrupsion dhe kritika për kostot e tij.
Gjithsej 752 nxënës dhe 25 mësues shfaqën simptoma të helmimit pasi konsumuan ushqimet e ofruara përmes programit Makan Bergizi Gratis (MBG) në shkollën e mesme në Lasem, gjatë drekës të mërkurën.