Rreth 250 mijë armë pa leje janë në duar të qytetarëve të vendit. Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur proces për legalizimin e tyre, por në vitin 2021 vetëm 2000 kërkesa kanë qenë për legalizim.
Në bazë të statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë vitit 2021, kosovarët kanë poseduar rreth 250 mijë armë ilegale.
Sipas shefit të Divizionit për Armë dhe Municion në MPB, Destan Mustafës, ky ishte numri më i vogël, pasi që më parë ishin 360 mijë armë.
“Në bazë të statistikave, në Kosovë gjinden rreth 250.000 armë ilegale në posedim të qytetarëve. Ky numër është më i vogël për rreth 100.000 armë që nga koha e hulumtimit paraprak në të cilin kanë qenë rreth 360.000 armë ilegale”, ka bërë të ditur Mustafa për Demokracia.com.
Mustafa ka deklaruar se faktorët që kanë ndikuar në zvogëlimin e këtij numri janë disa, por njëri prej tyre është edhe miratimi i Ligjit për Armët, i cili mundëson që qytetarët të pajisen me armë në mënyrë legale.
Mustafa: Kosova ka strategjinë për armët e vogla dhe të lehta 2017-2021 dhe është duke hartuar strategjinë e re 2022-2024.
“Gjithashtu, Policia e Kosovës konfiskon çdo vit rreth 1500 armë ilegale. Një kontribut të rëndësishëm në zvogëlimin e armeve ilegale jep edhe shkatërrimi i armëve, i cili bëhet çdo vit, ndërsa janë rreth 20000 armë të regjistruara të cilat kanë qenë me leje të UNMIK-ut”, ka shtuar Destan Mustafa, shef i Divizionit për Armë dhe Municion në MPB për Demokracia.com.
E marrja e pëlqimit për posedim të armës duhet të kalojë në disa procedura, si trajnimet e kryera, vërtetimin nga policia, gjykata, mjeku dhe qendra për punë sociale.
“Janë rreth 29 mijë armë me leje duke përfshirë edhe ato që janë në procedurë, sa i përket procedurës, personat duhet t’i kenë trajnimet e kryera, vërtetimin nga policia dhe gjykata, nga mjeku dhe qendra për punë sociale për të aplikuar për leje”, thotë ai.
Mustafa ka shtuar se armët e kategorisë B dhe C përdoren më së shumti (pistoleta dhe armët e gjuetisë).
Tutje, ai ka shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve, ku ishin dorëzuar 2000 kërkesa.
“MPB është duke punuar intensivisht në hartimin dhe zbatimin e politikave të mira për zvogëlimin e armëve të paligjshme. Normalisht se është dukuri shqetësuese mbajtja dhe përdorimi i armëve në mënyrë ilegale. MPB ka realizuar një periudhë të legalizimit të armëve (ku janë dorëzuar 2000 kërkesa) dhe ka në plan sa më shpejt që është e mundur të shpall fushatat e legalizimit dhe dorëzimit të armëve, varësisht sipas ecurisë së hartimit të politikave”, ka shtuar ai.
Policia e Kosovës: Gjatë vitit 2021 konfiskoi 1439 armë
Policia e Kosovës, sipas nenit 697 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, gjatë vitit 2021 ka konfiskuar 1439 armë dhe 30.438 copë fishekë. Gjatë vitit 2020 ka konfiskuar edhe 1135 armë, kurse në vitin 2019 ka konfiskuar 1058 armë.
“Gjatë vitit 2021 ka konfiskuar 1439 armë dhe 30.438 copë fishekë, gjatë vitit 2020 janë konfiskuar 1135 amë dhe 32747 fishekë, gjatë periudhës janar-nëntor 2021 janë konfiskuar 1058 armë dhe 22 975 fishekë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Demokracia.com.
Ndërkaq, policia ka bërë të ditur se numri i vrasjeve dhe vrasjeve të rënda deri në fund të gushtit 2021 ka qenë gjithsej 19 raste.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës të publikuar në shtator të këtij viti, vetëm gjatë sezones së verës, Policia e Kosovës për të shtëna me armë në dasma e ahengje ka arrestuar 81 të dyshuar, ndërsa ka konfiskuar 91 revole dhe 21 armë të gjata.
Policia, gjithashtu, kishte iniciuar raste penale si ‘armëmbajtje pa leje’ ose ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ për ata persona që dyshohet të jenë përfshirë në raste të tilla.
Megjithatë, Policia kishte bërë të ditur se fatmirësisht në këto raste nuk ka pasur persona të lënduar.