Rreth 350 persona janë deportuar dhe ekstraduar nga territori i Kosovës për në shtetet e ndryshme botërore që nga viti 2017 e deri më tash, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Autoritetet kompetente në Kosovë vitin e kaluar kanë ekstraduar 44 persona nga Republika e Kosovës për në shtetet tjera apo anasjelltas, transmeton Klan Kosova.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, nga 44 personat, 25 ishin ekstradime nga shtetet tjera për në Kosovë, kurse 15 persona janë ekstraduar nga territori i Kosovës për në vendet tjera.
Aktualisht, janë edhe dy raste të ekstradimit nga Kosova në shtete tjera, tha ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.
Ndërkaq, 4 ekstradime kanë qenë transit, ku Ministria e Drejtësisë ka dhënë leje për shfrytëzimin e territorit të Republikës së Kosovës.
“Ka pasur raste të ndryshme të ekstradimit, duke filluar nga vrasjet, vjedhje të rëndë, trafikim të qenieve njerëzore, trafikim të narkotikëve. Tashme unë kam nënshkruar edhe dy ekstradime të shtetasve të huaj që kanë qenë në Kosovë dhe janë kërkuar nga vendet e tyre”, tha Tahiri për Radion Evropa e Lirë
Në një përgjigjeje nga kjo ministri thuhet se numri më i madh i ekstradimeve është realizuar me shtete si, Gjermania, Zvicra, Belgjika, Austria, Italia, Hungaria, Mal i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe kështu me radhë, shkruan Radio Europa e Lirë, transmeton Klan Kosova.