Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka shënuar Ditën Olimpike me aktivitete në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Ferizaj.
Aktiviteti kryesor është mbajtur në Prishtinë, ku rreth 2,500 fëmijë të lindur në vitin e pavarësisë kanë vrapuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar i Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Vendin e parë nga garueset vajza e fitoi Medina Fejza, nxënëse e shkollës fillore “7 marsi”; vendin e dytë e fitoi nxënësja Dea Halimi nga shkolla “Elena Gjika” dhe vendin e tretë, Medina Bilalli nga shkolla “Zenel Hajdini”.
Fituesit djem për vendin e 3-të ishin dy nxënësit e shkollës “Zenel Hajdini”, Eduat Haliti dhe Jon Ramadani, vendin e dytë e fitoi Rin Ahmeti nga shkolla “Hasan Prishtina”, dhe vendi i parë i takoi nxënësit nga shkolla “Mileniumi i tretë”, Engjëll Shehut.
Dita Olimpike 2018 organizohet në bashkëpunim me Drejtoritë për Arsim të komunave përkatëse dhe fillon në të njëjtën kohë, në ora 09:00.
Ky është edicioni i shtatë që KOK shënon këtë ditë, pas atyre të organizuara në vitet 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017.
Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik, tha se ky është edicioni i 7-të që po zhvillohet në Kosovë, më parë është mbajtur në Prishtinë dhe këtë vit për herë të parë fillojnë edhe komunat tjera të mëdha të Kosovës me këtë aktivitet.
“Kjo ditë organizohet në shtatë qendra duke përfshirë Prishtinën dhe 6 qendra të tjera që në të njëjtën kohë po mbahet aktiviteti për nder të ditës olimpike. Përtej vrapimit në ditën olimpike ka edhe aktivitete të tjera, në Prishtinë mbahet një aktivitet që e mbajnë 100 shtete të ndryshme dhe tani e mbajmë edhe ne, ka të bëjë me turneun e Prishtinës “Laser Range” që do të thotë fëmijët bëjnë gara edhe në gjuajtje me pistoletë laserike por edhe vrapojnë dy herë nga 400 metra”, tha Hasani.
“Janë duke vrapuar fëmijët që janë të lindur në vitin 2008, ata kanë vrapuar vazhdimisht tani janë 10-vjeçarë do të vrapojnë tërë jetën e tyre, kemi të bëjmë me një projekt unik që e gjithë bota na e ka lakmi”, shtoi ai.