18 sportistë marrin 31 mijë euro bursë për përgatitje për Olimpiadën Tokyo 2020

Prishtinë | 26 Tet 2018 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Komiteti Olimpik i Kosovës ka ndarë 31 mijë euro për 18 sportistë elitarë që janë në përgatitje për Lojërat Olimpike Tokyo 2020.

Ky buxhet do të ndahet në bazë të kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian për tri kategori.

Buxheti i ndarë vlen vetëm për përgatitje dhe pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare si: kampionati evropian, botëror, apo edhe ndonjë garë tjetër që vlen për normë Olimpike dhe të cilat organizohen deri në fund të këtij viti.

Për kategorinë e parë që ndodhen: Majlinda Kelmendi (xhudo), Nora Gjakova (xhudo), Distria Krasniqi (xhudo), Herolind Nishevci (karate) dhe Akil Gjakova (xhudo), KOK-u do të mbështesë dy përgatitje të sportistëve dhe një garë në vlerë totale prej 3 mijë Euro për secilin sportistë.

Për kategorinë e dytë, në të cilën përfshihen: Alvin Karaqi (karate), Orges Arifi (karate), Fortesa Orana (karate) dhe Loriana Kuka (xhudo), KOK-u do të mbështesë një garë dhe një përgatitje në vlerë prej 2 mijë Euro për sportistë.

Ndërsa, në kategorinë e tretë, në të cilën ndodhen: Musa Hajdari (atletikë), Astrit Kryeziu (atletikë), Vijona Kryeziu (atletikë), Urata Rama (shenjëtari), Dasar Xhambazi (not), Flaka Pruthi (not), Atdhe Luzhnica (shigjetari), Edon Shala (mundje), Fortesa Orana (karate), Drilon Ibrahimi (shenjëtari), do të ndahen nga 1 mijë euro, ndërsa sportistët do të vendosin nëse do t’i shpenzojnë në garë ndërkombëtare apo përgatitje.

Prej muajit shtator të vitit të kaluar këta sportist marrin paga prej 250 dollarë deri në 1 mijë dollarë nga Solidarieti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Komiteti Olimpik i Kosovës, ndërsa nga 100 euro tjera nga komunat prej nga vijnë.

Solidariteti Olimpik i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i ka ndalur bursën boksieres Donjeta Sadiku, më 3 maj 2018, për shkak të mospajtimeve që ka Komiteti Olimpik Ndërkombëtar me Federatën Ndërkombëtare të Boksit (AIBA).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme