Zyrtarë të sigurisë në Irak kanë thënë se në këtë vend vazhdojnë të mbesin rreth 7,000 bashkëpunëtorë të Shtetit Islamik, pas rënies së Mosulit.
Në Mosul, lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, pati shpallur kalifatin e tyre, tri vite më parë.
Zyrtarë nga Intelegjenca në Irak, i kanë thënë Associated Press se afërsisht janë 4 000 militantë dhe 3 000 mbështetës të cilat janë punësuar nga grupi ekstremist dhe u janë dhënë paga.
Sipas tyre në Siri janë 7 000 militantë dhe 5 000 mbështetës.
Zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti pasi sipas tyre ata nuk janë të autorizuar për t’u deklaruar para mediave.
Më 10 korrik, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka deklaruar çlirimin e Mosulit, pas nëntë muajsh luftime shkatërruese.
Disa ditë më vonë, komandanti i forcave që mbështeten nga ShBA-ja në Siri dhe Irak, Stephen Townsend, pati deklaruar se beteja në Irak dhe ndaj Shtetit Islamik nuk ka përfunduar.
Ka disa muaj që raportohet se lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi është vrarë, mirëpo zyrtarët e Intelegjencës në Irak, i kanë thënë Associated Press, se ai është ende gjallë.