Rreth 70% e familjeve në Kosovë nuk mund t’i përballojnë shpenzimet për pushim

Prishtinë | 24 Gus 2020 | 10:36 | Nga Ekonomia Online

Rreth 69.5 për qind e ekonomive familjare në Kosovë nuk mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushim, kurse mbi 53 për qind e tyre shpenzimet për strehim dhe banim i paraqesin si barrë të rëndë.

Kështu thuhet në raportin “Të ardhurat dhe kushtet e jetesës“, të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Sipas ASK-së, 22.1 për qind e familjeve janë deklaruar se kanë probleme me kulm apo çati që rrjedh, mure, dysheme, themele të lagështa si dhe korniza të dritareve dhe dysheme të kalbura.

“53.4 për qind e ekonomive familjare, shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e rëndë financiare, për 36.5 për qind e ekonomive familjare shpenzimet për strehim janë paraqitur si barrë e lehtë financiare përderisa për 10.1 për qind e ekonomive familjare shpenzimet për strehim nuk paraqesin barrë financiare. Kurse 30.5 për qind e ekonomive familjare në Kosovë janë deklaruar se mund të përballojnë shpenzimet e një jave pushimi, larg shtëpisë, duke përfshirë qëndrimin në një shtëpi tjetër (shtëpi vikendi), apartament ose tek miqtë ose të afërmit, përderisa për 69.5 për qind të ekonomive familjare është i papërballueshëm një shpenzim i tillë”, thuhet në raportin e ASK-së.

Po ashtu, mbi 60 për qind e familjeve nuk mund ta përballojnë shujtën me mish pule dhe peshk çdo të dytën ditë.

“38.7 për qind e ekonomive familjare në Kosovë mund ta përballojnë shujtën me mish pule dhe peshk çdo të dytën ditë, përderisa 61.3 për qind e tyre nuk mund të përballojnë këtë shpenzim”, vijon raporti, përcjell Telegrafi.

Rreth gjysma e ekonomive familjare në vend nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 euro.

Për sa i përket detyrimeve financiare, mbi 60 për qind e familjeve kanë deklaruar se e kanë barrë të rëndë pagesën e kredive.

“Për 61.3 për qind e ekonomive familjare ishte barrë e rëndë financiare pagesa e borxheve për kartë krediti, blerje të madhe ose kredi të tjera (duke përjashtuar pagesat peng ose kredi të tjera lidhur me blerjen e shtëpisë apo banesës), për 29.7 për qind e ekonomive familjare ishte deri diku barrë financiare, ndërsa për 9 për qind e ekonomive familjare nuk ishte barrë financiare. 17.4 për qind e ekonomive familjare kishin vështirësi të mëdha në kryerjen e pagesave të nevojshme marrë parasysh të ardhurat totale dhe gjendjen për të kryer pagesat e nevojshme të zakonshme, 26.6 për qind e përballonin me vështirësi, 34.3 për qind me disa vështirësi, ndërsa 11 për qind mjaft lehtë, 10 për qind lehtë dhe 0.7 për qind shumë lehtë”, tregon raporti.

Sipas këtyre të dhënave, 82 për qind e individëve në Kosovë kanë thënë se gëzojnë shëndet të mirë.

“82 për qind e individëve në ekonomitë familjare në Kosovë kanë deklaruar se gëzojnë shëndet shumë të mirë, 6.7 për qind e individëve në ekonomitë familjare me shëndet jo të keq, përderisa 11.3 për qind e individëve në ekonomitë familjare janë deklaruar me shëndet shumë të dobët”, përfundon raporti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme