Çdo ditë deri në 70 fëmijë kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e Prishtinës. Shuma që ata realizojnë gjatë një dite arrin deri në 160 euro për person, ndërsa komuna e Prishtinës dhe Policia e Kosovës apelojnë te qytetarët që të mos u ofrojnë lëmoshë këtyre fëmijëve, pasi ata janë cak i personave të pandërgjegjshëm.
Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Prishtinës, tha se janë të angazhuar që fëmijët t’i largojnë nga rruga, duke apeluar të qytetarët që të mos u japin lëmoshë këtyre fëmijëve, pasi, sipas Mujkut, ata nuk ndihmohen duke u dhënë lëmoshë.
“Mesatarisht gjatë ditës gjenden prej 30 deri në 60 fëmijë në rrugë, varësisht nga kushtet meteorologjike numri varion nga 60 deri në 70 fëmijë në rrugë. Prandaj ne kemi kërkuar nga të gjithë qytetarët që mos t’u japin lëmoshë këtyre fëmijëve, sepse në këtë mënyrë vetëm po e rrisin numrin e këtyre fëmijëve në rrugë”, tha ai.
Mujku tha se pjesa më e madhe e këtyre lëmosh kërkuesve janë nga Shqipëria, dhe shuma që ata realizojnë brenda një dite arrin deri në 160 euro.
“Në aksionet e fundit që janë bastisur, asnjë nga lëmosh kërkuesit nuk ka qenë nën 40, 60 deri në 80 euro. Ka pasur edhe nga ta që deri në 160 euro që i kanë realizuar brenda ditës. Këto janë shuma marramendëse dhe për këtë po organizohen komplet familja dhe po dalin në rrugë.”
Ndërkaq, Salih Dragidella, shef i Sektorit për Projekte dhe Parandalim në Policinë e Kosovës, tha për Radio Kosovën se fëmijët nuk dinë për rrezikun që kanë, dhe, siç tha Dragidella, mbrapa këtyre fëmijëve qëndrojnë të rriturit.
“Këta fëmijë që po qëndrojnë në rrugë dhe para veturave, po e rrezikojnë vetën por edhe po krijojnë një imazh jo të mirë. Dyshimet janë që prapa këtyre fëmijëve qëndrojnë persona të pandërgjegjshëm, të cilët i detyrojnë të kërkojnë lëmoshë për llogarinë e tyre.”
Policia e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe disa organizata të tjera joqeveritare janë duke e përgatitur një plan me të cilin synojnë largimin e fëmijëve nga rruga. Sipas këtij plani, do të formohet një grup multidiciplinor që pritet të qëndrojë mbi 12 orë në rrugë për t’i evidentuar rastet e detyrimit të fëmijëve që të dalin në rrugë.