Dhjetëra mijëra sirianë të cilët me fillimin e luftës në vendlindjen e tyre janë larguar në zonat në afërsi të kufirit me Turqinë, kanë mbijetuar vetëm falë ndihmave humanitare, raporton Anadolu Agency.
Një numër i madh i refugjatëve janë vendosur në afërsi të kufirit me Turqinë, ku jetojnë në tenda, ndërsa numri i tendave në qarqet Altinozu, Reyhanli dhe Yayladagi të cilat i takojnë krahinës turke Hatay arrin në disa mijëra.
Numri më i madh i këtyre kampeve nuk ka furnizim me ujë dhe energji elektrike, prandaj ekzistenca e tyre varet ekskluzivisht nga ndihma e cila mbërrin nga Turqia.
Muhammed Komurcu, është një shpërndarës i ndihmave, dhe sipas tij, nga shkaku i luftës në Siri e cila tashmë ka hyrë në vitin e shtatë, qindra mijëra persona janë shpërngulur brenda dhe jashtë vendit. Siç thotë ai, migrimi i brendshëm është më i theksuar në Idlib dhe Latakia.
”Gjatë këtyre shtatë viteve, njerëzit kryesisht iknin në kufirin me Hatay, meqë e llogarisnin për një zonë të sigurt. Nga shkaku i sulmeve ata nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, dhe kështu numri i tendave sa vinte e shtohej”, tha Komurcu.
Ai veçoi kampin Atme, në kufi mes Reyhanlit turk dhe Idlibit sirian, si dhe kampet në Derkus dhe Hiribticoz. ”Në bazë të shifrave tona, numri i njerëzve të cilët jetojnë në rreth 400 kampet në zonat kufitare ka shkuar në mbi 700.000”, tha Komurcu.