Kompanitë “Xella L.L.C”, “Eskavatori” dhe “Dino” rrezikojnë mbylljen e aktivitetit. Kjo si pasojë e mbylljes së rrugës së furnizimit të tyre me materialin e lëndës së parë, nga autostrada “Arbër Xheferi”.
Janë mbi 25 milionë investime të huaja dhe vendore, me mbi 500 punëtorë, që mund të punojnë vetëm edhe për pak ditë me rezervat e lëndëve të para që kanë grumbulluar. Ato, tashmë nuk e kanë të mundur të furnizohen, meqë autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, u ka mbyllur rrugën kryesore.
Drejtuesit e këtyre kompanive Samir Krasniqi nga “Xella”, Isa Rysha nga “Eskavatori” dhe Abedin Salihu nga kompania “Dino”, thanë se përkundër përpjekjeve që mëse tre muaj për zgjidhjen e këtij problemi, janë detyruar që bashkë me punëtorët dhe pajisjet e rënda të punës, të protestojnë në vendin ku u mbyllet rruga, mes fshatrave Smallushë e Dobratin të komunës së Lipjanit.
“Mbyllja e kësaj rruge, mbyllë edhe bizneset tona. Thërrasim institucionet qeveritare, që të bëjnë një zgjidhje për rrugën dhe të na e mundësojnë zhvillimin e aktivitetit tonë”, tha drejtori i kompanisë gjermane-kosovare, Samir Krasniqi.
Në emër të tri kompanive të dëmtuara si pasojë e mbylljes së rrugës, i njoftojmë institucionet më të larta, se ne nuk jemi që të ndërpresim punimet e autostradës, tha ai.
“Jemi të interesuar që të kemi sa më shumë rrugë, por nuk lejojmë që me punimet që janë duke u zhvilluar, të mbyllen rrugët tona të operimit, pa gjetur alternativë”, tha Krasniqi.
Ai tha se kompania që drejton, ka rezerva të lëndës së parë edhe për tre ditë, ndërsa pas tre ditësh nëse nuk gjendet zgjidhje, do të detyrohen ta ndërpresin prodhimin.
“Me mbylljen e rrugës, ne po detyrohemi të falimentojmë. Jemi tre kompani, në total me investime mbi 25 milionë euro dhe kemi mbi 500 të punësuar. Falimentimin po na e imponojnë ata të cilët proklamojnë çdo ditë dhe thërrasin investitorët e huaj, e në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një investitor të huaj, dhe në fakt nuk ofrojnë mundësi dhe kushte të operimit”, tha Krasniqi.
Isa Rysha, njëri nga pronarët e kompanisë “Eskavatori”, tha se rruga që po bllokohet tash nga ndërtimi i autostradës, ka ekzistuar gjithnjë, madje tri kompanitë kanë investuar mjete private në mirëmbajtjen e saj.
“Për shfrytëzimin e kësaj rruge kemi edhe leje, por që pavarësisht, kjo rrugë na është bllokuar pa kurrfarë paralajmërimi”, tha Rysha.
Për tre muaj rresht të përpjekjeve për të gjetur zgjidhje në koordinim me institucionet, Rysha tha të kenë marrë premtime nga to se nuk do të ndalet kjo rrugë, por që fatkeqësisht ato kanë rezultuar të pavërteta meqë tash kjo rrugë është ndërprerë.
Abedin Salihu nga kompania “Dino”, tha se protesta do të vazhdojë dhe do të shihen format se si, porse institucionet duhet të jenë të vetëdijshme për pasoja dhe duhet të bëjnë zgjidhje.
“Ne do ta mendojmë se si do të protestojmë tutje, pasi jemi në të drejtën tonë. Ne duam gjithashtu të njoftojmë opinion publik se sa institucionet tona dinë të na pengojnë”, tha ai.
Samir Krasniqi, tha se gjatë takimeve me mekanizmat shtetërorë, u kanë ofruar edhe ide për tejkalimin e bllokadës, por ato po tregohen të joefikase.
“Po të duan institucionet e Kosovës për të bërë zgjedhje, ka mundësi dhe alternative në këtë pjesë. Alternative e parë është një rrugë që kalon afër fshatit Smallushë, por që nuk është vullneti i kryetarit të komunës së Lipjanit dhe i qytetarëve të fshatit që të na lejojnë, ndonëse nuk e pengojmë askënd. Alternativa tjetër është ajo që në një takim edhe e lansoi punëkryesi i autostradës kompania ‘Bechtel Enka’, që të bëhet një mbikalim apo nënkalim në autostradë. Kjo ka një kosto, të cilën qeveria nuk është e gatshme ta marrë përsipër. Pra zgjidhje ka, por mungon vullneti i institucioneve shtetërore. Kërkesat tona do t’i drejtojmë dhe nuk do të ndalemi deri në zgjedhjen e problemit”, ka paralajmëruar Krasniqi.
Gjatë protestës së dhjetëra punëtorëve të tri kompanive të atakuara pas mbylljes së rrugës, policia e Kosovës, ndonëse protesta ishte e paralajmëruar, nuk e ka lejuar makinerinë e rëndë të kompanive që të drejtohet në pikën e mbylljes së rrugës mes fshatrave Smallushë dhe Dobratin.