Shkencëtarët kanë konfirmuar atë që personat me performancë të lartë në punë e dinë prej vitesh: Nuk është e lehtë të jesh kompetent.
Një studim i Duke’s Fuqua School of Business thotë se njerëzit me vetëkontroll të lartë, të tipit që mbajnë mend ditëlindjet, zgjedhin sallatën në vend të të skuqurave, marrin një projekt shtesë në punë, dhe i zgjidhin lehtësisht konfliktet, kanë një çmim për të paguar për këto virtyte.
“Njerëzit flasin shpesh se të kesh një vetëkontroll të lartë është një gjë e mirë. Ata që kërkojnë diçka, e arrijnë më pas. Ata janë më mirë në ndjekjen e qëllimit. Dhe janë partnerë shumë të mirë në marrëdhënie”, thotë Christy Zhou Koval, një kandidate për profesor doktoreshë dhe autore e studimit i cili është publikuar në Journal of Personality and Social Psychology.
Ata kanë të ardhura më të mira financiare se kolegët e tyre më pak të disiplinuar, janë më të shëndetshëm dhe në përgjithësi kanë marrëdhënie të një cilësie të lartë personale.
Por e gjitha kjo e ka një kosto, shkruan revista “Time”: Njerëzit me vetëkontroll të lartë, ngarkohen nga kompetencat e tyre.
Studimi i drejtuar nga Koval tregoi se këta persona janë më të ngarkuar nga marrëdhëniet e tyre të punës se ata më pak të disiplinuar, dhe kjo për faktin se njerëzit presin më shumë prej tyre. Ata sakrifikojnë për kolegët, tregoi studimi, edhe pse këto sakrifica kalojnë mbi qëllimet e tyre. Madje, të njëjtën gjë ata kalojnë dhe në lidhjet romantike.
Megjithatë kolegët dhe partnerët duhet të mbajnë mend diçka: Nëse mendoni se këta njerëz ju plotësojnë, rrezikoni t’i humbisni. Mbështetja tek ta mund të jetë një strategji e mirë afatshkurtër, por jo afatgjatë. Koval sugjeron se këta njerëz mund të mbeten të pakënaqur me këtë barrë që marrin apo u japin.
Prandaj, thotë Koval është e rëndësishme që të njohin përpjekjet e tyre, që ndonjëherë i nënvlerësojnë. Ata duhet të ndjejnë “një kthim në përpjekjen që po bëjnë”.