Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) bën thirrje që të votohen kandidatet gra në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 11 qershor.
“Gratë ende mbeten shumë pak të përfaqësuara në politikë dhe në vendim-marrje në nivel kombëtar, komunal dhe partiak. Sipas Ligjit për Barazi Gjinore është obligim i yni si qytetarë, që të zgjedhim sa më shumë gra në parlament, duke pasur parasysh që subjektet politike dhe Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) kanë dështuar në zbatimin e këtij Ligji”.
“Ne inkurajojmë gratë dhe burrat, që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë interesat e tyre në parlament dhe do të luftojnë për arritjen e barazisë gjinore. Duke vlerësuar zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë themelore të njeriut, ne e konsiderojmë më se të nevojshme dhe të rëndësishme që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u ipen mundësi të barabarta. Mungesa e demokratizimit dhe pjesëmarrja e pamjaftueshme e grave në vendim-marrje brenda shumicës së subjekteve politike historikisht ka privuar padrejtësisht gratë nga pjesëmarrja në vendim-marrje në nivel qendror e lokal”, thuhet në komunikatë.