Institucionet e drejtësisë të marrin seriozisht rastin e Donjeta Pajazitit dhe të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore, tha Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës në protestën simbolike të mbajtur sot para Pallatit të Drejtësisë.
Berisha tha se kërkojnë që të rishikohen edhe një herë gjetjet nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila shpalli të pafajshëm të dyshuarin kryesor për këtë rast, raporton Ekonomia Online.
“Jemi dalë në këtë protestë paqësore t’u bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që ta marrin seriozisht rastin e të ndjerës Donjeta Pajaziti të rishikojnë edhe një herë të gjitha gjetjet nga Gjykata Themelore në Pejë, e cila e shpalli të pafajshëm të dyshuarin kryesor”.
Berisha bëri thirrje që nëse vërtetohet se i dyshuari aktual nuk është autori i vrasjes, atëherë të gjendet vrasësi i vërtetë e të dalë para drejtësisë, raporton EO.
“Ne bëjmë thirrje që të shikohet edhe një herë nëse ky vendim ka qenë i drejtë dhe të shihet, në rast nëse ai i dyshimtë nuk është shkaktari i vrasjes, të gjendet vrasësi i Donjetës dhe ai të sillet para drejtësisë”.
“Sot kemi dalë t’i përkrahim familjarët dhe të bëjmë më shumë presion tek sistemi i drejtësisë, jo vetëm për këtë rast, por edhe të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore që të merren seriozisht dhe të trajtohen seriozisht dhe të gjenden ushtruesit e dhunës”.
Aktualisht është duke u mbajtur seanca në të cilën do të shqyrtohen ankesat e prokurorisë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë.
24-vjeçarja nga Strellci i Deçanit ishte gjetur e vdekur në dhjetor të vitit 2015, gati dy muaj pasi ishte zhdukur më 9 nëntor 2015, pa lënë asnjë gjurmë.
Pak ditë pas vrasjes mizore, trupi i Donjetës u gjet në një mal në Strellc, i mbuluar me drunj.
Vëllai i Donjeta Pajazitajt, Shkëlqim Pajazitaj, pas seancës në të cilën prokuroria ka paraqitur ankesë, ka thënë se shpresojnë që Gjykata e Apelit të marrë një vendim të drejtë ndaj të dyshuarit, pasi që, sipas tij, ka fakte të mjaftueshme, raporton EO.
“Shpresojmë se Gjykata e Apelit të merr një gjykim të drejtë, sepse kanë fakte të mjaftueshme, pasi që edhe çika e tij e ka kundërshtu, ka dalë kundër tij, ka thënë se nuk kanë qenë bashkë”.
“Fakti tjetër është se në xhipin e tij është gjetur shalli i Donjetës dhe ka pasur bashkëfshatarë që kanë dëshmuar se ai nuk ka qenë në varrim. Ka mjaft fakte, shpresoj në një vendim sa më të drejtë. Fill si ka kaluar, Donjeta ku ka shkuar pas saj kjo është vërtetuar edhe nga kamerat nga shtëpia e një bashkëfshatari”, sqaroi Shkëlqim Pajazitaj.