Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), do të angazhohet për ligje të favorshme për të adresuar pabarazitë gjinore, sikurse mbrojtjen e kuotës në sistemin zgjedhor, mobilizimin e grave në Kuvend që të dalin nga perspektiva e tyre partiake dhe të përfaqësojnë interesat e grave dhe të lobojnë për krijimin e mundësive të kujdesit nga shteti për fëmijët në arsimin parashkollor që të rrisim punësimin e grave në Kosovë.
Kështu u tha në Kuvendin vjetor të 14-të të Anëtareve të RrGGK-së.
Aty u theksua se sot pabarazitë janë kudo si në punësim më të vogël të grave në krahasim me burrat, në pagën jo të njëjtë për punën e njëjtë të cilën e bëjnë me burrat, me prezencën e ulët të grave në vendimmarrje e shpërndarjen jo të barabartë të buxhetit gjatë hartimit të tij.
Kryetarja e Bordit të RrGGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa, theksoi se RrGGK-ja kontribuon shumë me punën e saj për barazitë gjinore.
Ajo theksoi se duhet të ndryshojnë politikat që të ketë pjesëmarrje aktive më të madhe të grave.
“Duhet të ketë edhe numra faktik që tregojnë se pabarazitë janë evidente. Kemi gra që janë pjesëmarrëse në Kuvendet komunale dhe kemi mekanizma të ndryshëm për të ndihmuar të mbijetuarat e dhunës që udhëhiqen nga gra të jashtëzakonshme”, tha ajo.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, theksoi se sfidat e fundit i kanë kalitur më shumë dhe se vetëm në mënyrë të bashkuar krijojnë një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për gratë.
“Shoh gra të fuqishme të cilat me përkushtimin e tyre mëtojnë të krijojnë një të ardhme më të ndritur për gjeneratat tona të ardhshme. Ju jeni shembull i mirë për të rinjtë se me zell e punë mund të kalohen të gjitha barrierat”, ka theksuar Jahjaga.
Qëllimi i këtij takimi të RrGGK-së ishte që të paraqesë progresin drejt zbatimit të strategjisë së rrjetit për vitin 2015-2018, duke treguar kontributet e konsiderueshme në drejtim të avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë dhe më gjerë.
“Është koha kur ne prezantojmë për anëtaret dhe të gjithë ju, suksesin tonë drejt implementimit të Strategjisë 2015-2018, duke u fokusuar në aktivitetet gjatë vitit 2016”, thekson RrGGK.
Mbi të gjitha, RrGGK shfrytëzon këtë kohë për reflektim, për festim, dhe për mirënjohje të atyre që kanë dhënë kontribut thelbësor drejt avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë dhe jashtë saj.
“Ne e marrim shumë seriozisht përgjegjësinë tonë për të raportuar te organizatat anëtare. Në të njëjtën kohë, ne besojmë që është mundësi shumë e mirë për të ndarë informata, t’i japim energji anëtareve, dhe të krijojmë hapësirë për rrjetëzim”, thekson RrGGK.