Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar ndaj kërcënimit që i është bërë deputetes Mimoza Kusari-Lila nga Bujar Kokalla, zyrtar i KRU “Gjakova” dhe anëtar i PDK-së.
Mimoza Kusari Lila në një postim në Facebook publikoi një mesazh që kishte marrë nga Kokalla derisa RrGK u ka bërë thirrje institucioneve të rendit që ta trajtojnë seriozisht kanosjen ndaj Kusari-Lilës.
“Sot me datë 13 prill 2018, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) është njohtuar përmes mediave lokale se Bujar Kokalla zyrtar i KRU “Gjakova” dhe njëkohësisht anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kërcënuar deputeten Mimoza Kusari-Lila. Përmes porosive të dërguara në aplikacionin Messenger, Bujar Kokalla ne mës tjerash është shprehur ‘Po të garantoj bane të njeva ni fjalë që na e shan shefin Hashim Thaçi, ta baj me be Cermjanin duhesh me ditë që Thaçi ka njerëz qe japin jetën për to’, shkruajnë mediat lokale. Njohtimin për këtë kanosje e kishte bërë vet deputetja Kusari-Lila”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
“Kodi Penal i Republikës së Kosovës përmes Nenit 185 definon veprimet që hyjnë në kategorinë e veprës penale Kanosje ku thuhet se: 1. Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj. 2. Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit. Ndërsa, po i njejti nen thekson se: Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet ndaj personit zyrtar në lidhje me punën apo me pozitën e tij ose ndaj disa personave ose kur vepra kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”.
Përmes këtij reagimi, Rrjeti i Grave të Kosovës u bënë thirrje institucioneve të rendit dhe ligjit që të trajtojnë seriozisht kanosjen që i është bërë deputetes Kusari-Lila. Përveq kësaj, RrGK pret që Partia Demokratike e Kosovës të shkarkojë nga çdo instancë Bujar Kokallën si dhe të distancohet nga kanosja e bërë nga ai.
“Kanosjet që u bëhen grave në pozita vendimmarrëse dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës si një shtet që ka bazamentin e saj në funksionim të drejtësisë. Për më tepër, këto kanosje dhe kërcënime ndikojnë direkt në uljen e interesimit dhe guximit që gratë dhe vajzat të angazhohen në proceset vendimmarrëse”, thuhet në reagim.
RrGK në strategjinë e saj e ka për qëllim të kontribuoj në ngritjen e mundësive të barabarta mes grave dhe burrave në vendimmarrje dhe politikëbërje, dhe ky reagim është në harmoni me qëllimin që RrGK i ka dhënë vetes. Andaj, përmes këtij reagimi RrGK denon ashpër kanosjen ndaj deputetes Kusari Lila por njëkohesisht është edhe thirrje ndaj gjithë shoqërisë që së bashku të denojmë çdo vepër që bie ndesh me lirinë dhe të drejtat e njeriut.