RrGK e sheh shqetësuese rritjen e rasteve të dhunës seksuale ndaj të miturve, fajëson institucionet për mosreagim

Prishtinë | 21 Gus 2024 | 08:25 | Nga Diellza Gashi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po e konsideron shqetësuese rritjen e rasteve të dhunës seksuale ndaj të miturve, ndërsa fajëson institucionet përgjegjëse për mosreagim ndaj dhunuesve.

Nga RrGK thonë për Ekonomia Online se kjo dukuri ka filluar të shpeshtohet në Kosovë, pasi reagimi i familjarëve dhe institucioneve është i vonë. Ata thonë se në këso raste, të dyshuarit janë familjarë.

Adelina Berisha nga RrGK ka thënë për Ekonomia Online, se ka raste kur viktimave nuk gjejnë kurajo të flasin me anëtarët e familjes, pasi fajësohen më shumë se sa dhunuesit. Andaj, apelon që kjo çështje të mos konsiderohet si tabu.

“Mendoj që e bëjnë sepse është shumë e lehtë për një person të madh të manipulojë një fëmijë ta frikësojë, ta bëjë të ushtrojë dhunë ndaj tij ose saj dhe kjo është më vështirë që të arrijë në veshët e institucioneve dhe anëtarëve të familjes. Fatkeqësisht në rastet e viktimave të mitur zakonisht është një person i njohur ai i cili e ka ushtruar dhunën pra mundet me qenë një anëtarë i familjes, një mësimdhënës. Nëse i realizojmë këto raste kryesisht janë të rralla raste kur fëmijët sulmohen nga personat e panjohur, kryesisht janë persona të cilët i njohim dhe i dinë pikët më të dobëta të fëmijëve dhe e dinë se si t’i keqpërdorin dhe t’i mbajnë nën presion këta fëmijë përmes dhunës që ushtrojnë ndaj tyre”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se ka raste kur kanë hasur në viktima nga dy deri në katër vjeç. Kritika ka për mosreagim të shpejtë të institucioneve.

“Në Kosovë është ende tabu të flitet nëse ato kanë qenë në ngacmuara seksualisht e le më të ketë një vepër më të rëndë ndaj tyre. Është sfidë për këta fëmijë të flasin dhe të gjejnë kurajo të flasin me anëtarët e familjes sepse ne fatkeqësisht tentojmë që fajësimin t’ia vënë viktimave më shpesh sesa dhunuesit. Edhe prej institucionit që ne i kemi intervistuar ka pasur përfaqësues institucional që na ka thënë se po një e mitur ka shkuar në hotel me një madhor por ne nuk e dimë që a e ka bërë atë me dëshirë apo jo, ku pa marrë parasysh si deklarohet viktima kjo është vepër penale. Kemi raste ku viktimat janë edhe më të vogla, janë e moshës dy, katër vjeçare që kanë qenë viktima të sulmeve seksuale ndaj anëtarëve të familjes. Kjo ndodh sepse këta persona kriminel e dinë këtë brishtësinë e fëmijëve dhe e shfrytëzojnë atë për ta realizuar planet që i kanë drejtë tyre”, ka thënë ajo, teksa tregon edhe zanafillën se si dhunuesit arrijnë deri te qëllimi i tyre.

“Dinamikat janë të atilla që fëmija frikësohet fillimisht, mbahet nën shantazh me siguri ka kërcënime për rrezikim të jetës së anëtarëve tjerë të familjes, ka rrezikim për imazhin e saj dhe në këto rrethana një fëmijë që nuk i dinë të drejtat e veta dhe nuk ka forcë as fizike as intelektuale të merret vet me trajtimin e rastit, duke ditur stigmën që ndodh për dhunimin, tendenca është prapë që fokusi të kthehet tek viktima, pse shkove, pse pranove, çka lypi ti në atë rrethinë dhe për një fëmijë është shumë vështirë që të raportohet e veçanërisht nëse dhunimi ndodh prej familjarëve. Kjo implikon edhe anëtarët e tjerë të familjes, pra është frika e shkatërrimit të raportit të familjarëve që mund të ndikohet që këta fëmijë të mos raportojnë dhe të kërkojnë mbështetje”, shtoi Berisha.

Ajo ka thënë se raste të tilla nuk duhet të mbeten të izoluara dhe të zgjidhen përmes metodave kanunore, në mënyrë që t’i shmangen vrasjes.

“Në rastet kur nuk adresohet problemi tek institucionet, frika është që problemi të zgjidhet brenda familjes dhe mundet të shkojë në vrasje të tjera dhe në krim dhe në vepra më të rënda dhe këtu është problemi më i madh dhe këtu duhet të jetë fokusi jonë si shtet si shoqëri që t’i inkurajomë fëmijët tanë të flasin për përjetimet e dhunës dhe të mos i mbajmë fshehtë. Institucionet e drejtësisë në mandat e kanë të sjellin drejtësinë dhe kjo bëhet me arrestimin e ushtruesit të dhunës, ndërsa sa i përket që familjen kalojnë nëpër të njëjtin stres sikurse viktima. Puna e institucioneve që kanë mandat rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave mbetet edhe shumë për të bërë, sidomos aspekti i këshillimit psiko-social i familjarëve dhe viktimës e cila është ende sfidë”, përfundoi ajo.

Të ngjashme