Dhuna ndaj grave dhe zvarritjet e proceseve gjyqësore ka bërë që shumë gra të kërkojnë asistim nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), raporton Ekonomia Online.
Besarta Breznica, koordinatore e Rrjetit të Grave, thotë se sfiduese mbetet mendësia patriarkale dhe brishtësia e institucionale, që pengon mbrojtjen e viktimës të dhunës.
Breznica thotë për Ekonomia Online se është shqetësuese që ka raste kur viktima e dhunës shkon në polici por nuk trajtohet si e tillë, dhe nuk ia marrin deklaratën fare duke e injoruar rastin.
“Statistikat nga Policia e Kosovës gjithmonë tregojnë se rastet e dhunës në familje janë në rritje. Mirëpo vlen të ceket se ato janë vetëm raste që janë raportu në Policinë e Kosovës, kurse ka shumë gra të cilat nuk e raportojnë dhunën në familje dhe e mbajnë brenda mureve të tyre. Vetëm vitin e kaluar kemi asistuar diku rreth 43 apo 50 gra dhe lëndët e tyre mbesin ende në gjykata”.
“Gjykata gjithmonë rastet e dhunës në familje i trajton me prioritet, por nganjëherë kemi huqje të mëdha në gjithë zingjirin institucional, ka probleme të shumta, duke filluar nga policia deri tek Gjykatat. Kemi raste, monitorimi jonë dhe puna jonë në terren me gratë e tregon që në polici kemi raste kur policët nuk e marrin deklaratën e viktimës fare, dhe kjo është mjaft shqetësuese sepse nëse një polic në korridor i thotë viktimës shko në shtëpi se nuk paske kurrgjë atëherë këtu tregon ku ne jemi me drejtësinë. Atëherë dështojnë të gjithë zingjirët e tjerë”.
Krahas kësaj, Breznica thotë se dënimet e vogla nga Gjykatat krijojnë një lloj frike te viktimat.
“Edhe nëse rasti shkon shumë mirë në polici, kur dalim në prokurori kemi qalime të shumta. Për shembull prokurorët e cilësojnë një vepër ndryshe me atë çka është realiteti. Pas kësaj kemi edhe raste të shumta që Gjykatat nuk dënojnë mjaftueshëm dhunuesit e grave. Nuk i dënojnë mjaftueshëm personat që ushtrojnë dhunë në familje dhe automatikisht kjo krijon një lloj frike tek viktimat dhe ato hezitojnë të raportojnë dhunën në familje. Ne kemi reagime të shumta dhe kemi organizuar protesta të shumta në raste të tilla kur kanë bërë lëshime gjykatat apo rastet e tjera. Gjithashtu ne e monitorojmë rregullisht punën e organizatave dhe të gjitha institucioneve”, tha ajo.
“Implementimi i ligjit është mjaft sfidues në Kosovë. Cilat janë arsyet që është mjaft sfidues dhe hulumtimet e tona tregojnë mjaftueshëm për këtë çështje është mendësia patriarkale dhe brishtësia e institucionale. Këto të dyja bashkë nuk i lejojnë institucionet me vepru tutje dhe në të mirën e viktimës. Hulumtimet e Rrjetit të Grave të Kosovës tregojnë se 68 për qind e grave kanë përjetuar ndonjë dhunë gjatë gjithë jetës së tyre dhe kjo është një shifër mjaft tronditëse”.
“Arsyet pse nuk raportohet janë të ndryshme duke filluar nga kujdestaria e fëmijëve, mendësia patriarkale pastaj dhe gratë janë ekonomikisht të varura dhe familja e origjinës nuk i pranon ato. Edhe institucionet jo gjithmonë janë në mbrojtje të grave dhe në mbrojtje të tyre dhe në ofrimin e sigurisë me të cilën ato edhe zotohen që duhet ta bëjnë”, tha ajo.