Rriten çmimet e prodhimeve blegtorale 16.89 për qind

Prishtinë | 05 Maj 2023 | 17:35 | Nga Ekonomia Online

Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2023, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 16.89 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 6.45%.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

“Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.

Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe cope”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 14.28%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Të ngjashme