Me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që e mbështet qeverinë e Kosovës, për rritjen e pagave për rritjen e pagave për punëtorët e saj, pritet që ta rëndojë shumë buxhetin e vendit.
Kjo për faktin, se Kushtetuesja konstaton se nuk ka shkelje në vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave të zyrtarëve qeveritar.
Kohë më parë, kryeministri Haradinaj kishte marrur vendim që të rrisë pagat e zyrtarëve qeveritarë. Nga ai vendim parashihej që rritje pagash do të ‘gëzojnë’ edhe mbi 80 zëvendës ministrat e qeverisë Haradinaj.
Paga e Haradinajt deri më tani ka qenë rreth 1 mijë e 500 euro, ndërsa me vendimin e ri kjo pagë bruto ngrihet për 100 për qind dhe është 2950 euro në muaj. Zëvendës kryeministrat pritet që të kenë pagë mujore prej 2 mijë e 500 euro. Kurse, ministrat nga 2 mijë euro – zëvendësat e tyre nga 1 mijë e 150 euro.
Nga ai vendim, edhe stafi i kryeministrit do gëzojnë rritje pagash. Ata pritet që të kenë pagë mujore prej 1 mijë e 400 euro. Përjashtim bënë shefi i kabinetit të Haradinajt, i cili do të ketë pagë prej 1 mijë e 670 euro.
Duke marr për bazë numrin aktual dhe numrin e pozitave të lejuara për gjykatës dhe prokurorë, dhe pozitave tjera në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, pagat e të cilave janë të lidhura drejtpërdrejtë me pagat e kabinetit qeveritar, numri kalon 650 pozita, që brenda një viti kalendarik ka ndikim të madh financiar që mund të llogaritet në disa miliona euro.
Rritje pagash do të ketë edhe për shumë zyrtarë të qeverisë. Shoferi i kryeministrit, asistentët personal të tij, sekretari i Përgjithshëm i zyrës së kryeministrit, zyrtarët e lartë në Zyrën Ligjore, janë vetëm disa nga punëtorët që do të gëzojnë rritje pagash.
Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj vendimin për rritjen e rrogave e ka konsideruar si tregues se është duke u punuar për vendin në mënyrë transparente.
“Unë e kam rrit rrogën time vet, e kam rrit pagën e kolegëve të mi po iu them diçka ua keni besuar këtyre njerëzve 2 milionë euro me i menaxhuar është e pa kuptim përgjegjësia politike e para, përgjegjësia edhe financiare e një kryeministër me pas rrogën 1300 euro, ose vjedh, ose është i pa sinqertë i mashtron popullin e vet. Unë po mendoj me punu, po mendoj me i shërbye vendit tem, iu kom dedikuar edhe i ftoj kolegët e mi të Qeverisë që vërtet ta respektojnë përgjegjësinë që na e kanë dhanë populli. Tani ata që mendojnë që kam gabuar që e kam bërë shpejt a ku di unë edhe ata kanë të drejtë nuk është një vendim i përkryer por sipas bindjes sime është një tregues se dojmë me punu në këtë vend edhe atë në mënyrë më transparente që i takon”, kishte thënë Haradinaj.
Një rritje e tillë do e rëndojë tejmase buxhetin e Republikës së Kosovës. Kjo për faktin që tashmë dihet, që miliona euro vetëm brenda një muaji shpenzohen në paga të punëtorëve qeveritar.
E në momentin kur do të hyjë në fuqi ky vendim, kjo shumë do të dyfishohet.
Vendimi i kryeministrit për rritje pagash nuk u pritë mirë nga opozita kosovare. Ata tentuan që ta bllokojnë këtë vendim, duke e dërguar në Kushtetuese.
Më 20 dhjetor 2017, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ndërmori iniciativë që këtë vendim të Haradinajt ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo, në vendimin e kësaj gjykate, hidhet poshtë ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e lënë në fuqi vendimin e kryeministrit Haradinaj për ngritje pagash.