“Kostoja e punës, ose thënë më thjeshtë pagat, së bashku me bonuset, u rritën me plot 1.8% në orë në Eurozonë gjatë tremujorit të dytë të vitit, thotë Eurostat në një publikim të fundit.
Në të 28 vendet e Bashkimit Europian ndërkohë, rritja fiksohet në 2.2%. Në të dyja rastet, rritja është në terma tremujorësh, pra në krahasim me tre muajt e parë të këtij viti.
Në tremujorin e parë ndërkohë rritja fiksohej në 1.4% në Eurozonë dhe 1.6% në Bashkimin Europian. Për tremujorin e dytë, rritja e pagave është më e larta në dy vite.
Të dhënat i japin shpresë Bankës Qendrore Europiane se inflacioni do të “marshojë” më shpejt drejt objektivit.
Banka Qendrore Europiane ka vendosur ecurinë e pagave si një kriter kyç mbi të cilin do të bazojë politikat monetare, duke shpresuar që më në fund, rritja e fortë ekonomike dhe tregu i fortë i punës të “prodhojnë” edhe rritjen e fitimeve për punonjësit, duke i dhënë për rrjedhojë një shtysë edhe inflacionit.
Pavarësisht rritjes së tregut të punës gjatë viteve të post krizës, rritja reale e pagave në rajonin e monedhës së përbashkët ka qenë anemike.
Eurostat flet edhe për performancën sipas shteteve në bazë vjetore, pra në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e madhe e pagave regjistrohet në Rumani, me plot 18.6%. Më pas ndjek Hungaria me 13%. I vetmi vend që raporton rënie është Finlanda, me 0.3%.