Të ardhurat e klubeve Premier Ligën Angleze pësuan një rritje me nëntë për qind, për të kapur shifrën e katër miliardë euro.
Kjo është ajo që zbulohet nga analiza e kryer nga agjencia e kontabilitetit “Deloitte” për sezonin 2015-2016.
Sipas kësaj agjencie, nga kjo shifër, 2.1 milionë euro janë siguruar nga të drejtat e transmetimit televiziv. “Deloitte” thekson gjithashtu se, për të tretin sezon radhazi, klubet e Ligës Premier kanë regjistruar një fitim operativ prej 564 milionë euro, por kanë bërë edhe më shumë shpenzime për pagat, të cilat janë rritur në masën 12%, në 2.6 miliardë.
Sipas “Deloitte”, kjo rritje e të ardhurave nga transmetimet televizive u ndikua shumë nga fondi i akorduar nga UEFA për klubet e Ligës Premier, një fond ky që është rritur me 112 milionë euro.
Përsa i përket futbollit evropian, në total gjatë sezonit 2015/2016 klubet në kampionatet e kontinentit të vjetër kanë mundur të regjistrojnë të ardhura prej 24.8 miliardë euro, 13% më shumë sesa në sezonin 2014/2015. Edhe në këtë rast, efektin më të madh e pati e drejta e transmetimit e Kampionatit Evropian të Francës, transmeton TCh
“Deloitte” publikon detaje të tjera, siç është ajo e të ardhurave të pesë kampionateve më të rëndësishme të Evropës: Angli, Itali, Spanjë, Gjermani e Francë. Sipas saj, niveli i të ardhurave për këto kampionate është rritur me 12%, në 13.44 miliardë euro.
Klubet e Ligës Premier mbajnë një rekord, edhe përsa i përket shpenzimeve në tregun e transferimeve, të cilat kanë pësuar një rritje prej 20%, në 35.3 miliardë euro.