Diaspora e Kosovës, jo vetëm që ka vazhduar, por edhe ka shtuar shumat financiare që i dërgon apo investon në Kosovë gjatë këtij viti. Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, tregojnë se shuma e remitencave të dërguara ka shënuar rritje.
Deri në muajin shtator të këtij viti, remitencat kanë arritur vlerën e 587 milionë eurove, që krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kanë shënuar rritje për 6.1 për qind.
Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vijnë kryesisht nga Gjermania pasuar nga Zvicra, SHBA-ja, Italia, Austria, Franca dhe shtete të tjera.
Këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.
Lorik Pustina, udhëheqës i Divizionit për Komunikim në Ministrinë e Diasporës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se përkrahja e diasporës për Kosovën vazhdon të jetë e madhe.
Ai tregon se janë një varg projektesh që po synohen të realizohen ndërmjet diasporës dhe institucioneve të Kosovës.
“Ne sapo kemi përfunduar konsultimet publike për Ligjin për diasporën që ka qenë njëri nga projektet kryesore të këtij viti. Gjatë konsultimeve ne kemi qenë diku rreth 12 shtete, diku filluar nga Amerika e deri në Kroaci dhe aty kemi parë që entuziazmi i diasporës jo që është ulur, por vetëm sa është rritur. Komentet që ata i kanë dhënë në Ligjin për diasporën, na kanë treguar se janë më shumë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës për atë që ne e quajmë marrëdhënie të shëndoshë në mes Kosovës dhe diasporës sonë”, thekson Pustina.
Pustina bën të ditur se me plotësimet që po i bëhen Ligjit për diasporën, është kërkuar nga Kuvendi që Ministrisë së Diasporës t’i ndahet një buxhet në proporcion me remitencat dhe ato t’i dedikohen projekteve zhvillimore.
“Nëse diaspora ka sjellë remitenca prej 700 milionë eurosh në vit, atëherë 7 milionë euro t’i dedikohen Ministrisë së Diasporës në këto projekt, pra kjo është një risi që është në Ligjin e Diasporës dhe e cila do të jetë shumë fitimprurëse për të dy anët, edhe për bashkatdhetarët tanë edhe për institucionet e Kosovës, pra do të investohet në projekte zhvillimore se sa në konsum”, thotë Pustina, duke shtuar, se këto projekte zhvillimore do të gjenerojnë edhe vende të reja pune.
Pjesa më madhe e remitencave që në vit është mbi gjysmë miliardë euro, sipas të dhënave të BQK-së, shkojnë për konsum, pastaj në investime, kryesisht në blerje të patundshmërive.
Ekspertë të çështjeve ekonomike vazhdimisht kanë theksuar se duke pasur parasysh ritmin e zhvillimit në Kosovë, i cili, sipas tyre, nuk ka garantuar krijim të burimeve tjera të qëndrueshme që mund ta përkrahin zhvillimin ekonomik të vendit, është mjaft e rëndësishme që Kosova ka një diasporë të fuqishme.
Ekspertët kanë theksuar që parave të dërguara nga diaspora, të cilat kryesisht shpenzohen për konsum, duhet t’u ndërrohet orientimi duke i kthyer në investime në projekte të ndryshme që do të gjeneronin edhe vende pune.
Shuma e dërgesave të emigrantëve në vit konsiderohet të jetë edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas raportit më të ri të Bankës Botërore të titulluar ‘Migrimi dhe Zhvillimi”, që analizon trendët globalë të migrimit dhe remitencave, Kosova është ekonomia e katërt në rajonin Evropë dhe Azi Qendrore për nga përqindja e pjesëmarrjes së remitencave në bruto-produktin vendor për vitin 2018.
Ndryshe, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të cilët i janë përgjigjur regjistrimit, është rreth 350 mijë.