Rriten telashet e Kosovës para ndeshjes vendimtare me Çekinë

Prishtinë | 23 Gus 2019 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Bernard Challandes është duke e përgatitur listën e Kosovës për ndeshjet me Çekinë e Anglinë, ndërsa lajmet e këqija për të nuk kanë të ndalur.

Pasi ditë më parë u mësua se Milot Rashica ka pësuar lëndim muskulor dhe do të mungojë disa javë, të enjten u kuptua që edhe një titullar tjetër i Kosovës me shumë mundësi do të mungojë në ndeshjet e shtatorit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Bëhet fjalë për Herolind Shalën, që te Kosova mbulon pozitën e mesfushorit defanziv dhe që shquhet për shpirtin luftarak dhe angazhimin në fushën e blertë. Shala ka thyer dorën të mërkurën në stërvitje dhe është thuajse pa gjasa që të paraqitet ndaj Çekisë e Anglisë.

Në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Evropian të vitit tjetër, Kosova më 7 shtator e pret Çekinë në Prishtinë, ndërsa më 10 shtator luan në udhëtim ndaj Anglisë. Sidomos ndeshja ndaj Çekisë vlerësohet me peshë të madhe për Kosovën.

Derisa Anglia është favorite e madhe e grupit dhe pritet të zërë pa telashe vendin e parë, Kosova e Çekia tashmë janë rivalët më të mëdhenj për vendin e dytë në grup, që po ashtu dërgon direkt në Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme