Zv. kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, së bashku me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, kanë vizituar fabrikën e mobileve “Elnor”, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, raporton Ekonomia Online.
Limaj tha se kjo vizitë po shërben për të parë efektin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e lëndës së parë të drurit.
“Sot erdhëm për të vizituar drejtuesit e kompanisë, ishte edhe një shkas i vizitës pas vendimit që ka marr ministri i Tregtisë dhe Industrisë, donim të përcillnim mesazh edhe për bizneset e tjera për vendimin që ministri ka marrë para disa kohesh. Ministri shala ka marr një vendim të rëndësishëm dhe donim ta shihnim që tash a është ndaluar eksporti si land e parë me qëllim që të ipet mundësi kompanive tona. Ka qenë vendim i jashtëzakonshëm dhe ka me pasë efekt për të gjitha kompanitë që merren me përpunimin e drurit”, ka thënë Limaj.
Ai tha se ky vendim është sinjal që në Kosovë ka punë dhe këtë mund ta bëjë dora e vyer i interesuar për zhvillim.
“Kjo është një sinjal që në Kosovë ka punë dhe këtë mund ta bëjë dora e vyer i interesuar për zhvillim. Të gjitha këto mund të bëhet me një partneritet të ngushtë qeveri dhe biznes, e ardhmja e këtij vendi është e sigurt. Ajo që më beri përshtypje ishin edhe punëtorët me aftësi të kufizuara”, tha Limaj, raporton EO.
Ministri i MTI-së, Endrit Shala, i siguroi mbështetje kompanisë së drurit “Elnor”.
“Kompani jashtëzakonisht e suksesshme e tha edhe vet pronari që eksportohen 55 për qind të prodhimeve. Arsyeja e vizitës së bashku me zv. kryeministrin Limaj është t’i sigurojmë kompanitë për bashkëpunimin dhe të shohim Impaktin për ndalimin e masës drunore, ju siguroj se si ministri do të jete përkrahja jonë”, tha Shala.
Pronarja e kompanisë “Elnor”, Vjosa Ukaj, u shpreh falënderuese për vizitën dhe tha se vendimi i MTI-së ka qenë i duhur.
“Faleminderit për vizitën, ne si kompani i gëzohemi kësaj vizite. Gjithashtu i gëzohemi vendimit që këto lëndë të përpunohen në Kosovë, ne si kompani 55 për qind i kemi eksport”, tha ajo, raporton EO.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala në vazhdën e mbrojtjes së prodhuesve vendor, ka propozuar ndalimin e eksportit të masës drurore, për shkak se është duke dëmtuar rëndë sektori i përpunimit të drurit në vendin tonë, gjithashtu lejimi i këtij aktiviteti po i rritë prerjet ilegale të pyjeve.
Shala ka propozuar këtë masë ndalimi para kabinetit qeveritar duke dhënë arsyetimin.
“Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si bartëse e këtij propozim vendimi për ndalimin përkohësisht të eksportit të masës drurore si lëndë e pa përpunuar nga Kosova në drejtim të vendeve tjera, për arsye të dëmtimit në sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë, shkurtimisht të paraqes bazën ligjore dhe rëndësinë e këtij propozim vendimi. Masa për ndalimin përkohësisht të eksportit të masës drurore është bërë për arsye se lejimi i vazhdueshëm i eksportit të masës drurore për eksport në vendet tjera si lëndë e pa përpunuar (trupa), në një kohë kur të gjitha vendet përreth e kanë ndërprerë eksportin nga vendet e tyre, është duke dëmtuar rëndë sektorin e përpunimit të drurit në vendin tonë. Gjithashtu lejimi i këtij aktiviteti po i rritë prerjet ilegale në Kosovë qoftë për masë drurore teknike edhe për masën drurore dru zjarri”, ka thënë Shala në mbledhjen e Qeverisë.
Ky propozim vendim është hartuar në përputhje me procedurat e parapara me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr. 09/2011 si dhe në konsulltim dhe poashtu edhe me rekomandim të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, ka thënë Shala.