Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka aprovuar Raporti nëntëmujor janar-shtator 2018 të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional për harmonizimin e statistikave për veprat penale karakteristike.
Lavdim Krasniqi Drejtor i sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha se në periudhën janar-shtator janë zgjidhur 1710 lëndë, raporton Ekonomia Online.
Ai ka sqaruar se është rritur numri i lëndëve për substancat narkotike, ku 53% e lëndëve i përkasin kësaj natyre.
“Në raport janë pasqyruar të dhënat statistikore. Në këtë listë të veprave penale fshihen armët, kontrabandimi, trafikimi me njerëz etj. Lidhur me këto vepra në periudhën raportuese kanë qenë 1920 lëndë. 1710 lënë janë të zgjidhura. Parashtruese të kallëzimeve penale kanë qenë Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsion, ATK etj”.
“Rreth 69% e rasteve kanë përfunduar me aktakuzë. Lidhur me ngarkesën me lëndë për veprat penale karakteristike janë lëndët me drogë mbi 53%, pastaj janë veprat për krime ekonomike, lëndët e korrupsionit. 491 lëndë janë përfunduar dhe janë 1122 lëndë të papërfunduara në veprat penale karakteristike”.
Bahri Hyseni anëtar i KPK-së, tha se është lajm i keq rritja e lëndëve për drogat mirëpo sipas tij, prokurorët po shënojnë performancë të mirë në rritjen e zgjidhjeve të lëndëve
“Kemi vendos që prioritet t’i japim drogave sepse e shohim që ditëve të fundit ka një numër të madh të lëndëve të drogave. Është një e mirë nga ky raport që përveç rritjes së lëndëve ka edhe efikasitet të zgjidhjes së kësaj çështje”.
“Ajo çka është pozitive është shkalla e aktgjykimeve përfundimtare. Është një shqetësim që ka rritje të këtij fenomeni, mirëpo aktgjykimet kanë shpallur fajtor mbi 85% mirëpo problem është mos përfshirja e Prishtinës ne statistika. Sa i përket ankesave konsideroj që pak ka pas ankesa”, tha ai.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj ka njoftuar lidhur me rrjedhat e zbatimit të sistemit elektronik për menaxhimin e lëndëve, raporton Ekonomia Online.
“Puna në gjykata dhe prokurori synohet të zëvendësohet me sistem elektronik. Që nga fillimi i projektit e deri tash janë realizuar aktivitete të ndryshme. Është bërë avancimi i strukturës se rrjetit për të gjitha prokurorit e Kosovës përmes sistemit të IT-së duke mundësuar një rrjet më të sigurt”.
Raporti i Koordinatorit Kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën korrik-shtator 2018 është shtyrë për shkak të mungesës së koordinatorit kombëtarë Shqipton Fazliu.