Në muajin shtator të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 996 ndërmarrje, e që është një rritje prej 9.4 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Në shtator 2024 krahasuar me muajin gusht 2024, kemi rritje për 9.4% të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak, kemi rritje për 9.4% të ndërmarrjeve të regjistruara”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Por kryesojnë “Mikro ndërmarrjet”, pasi që vetëm në shtator u regjistruan 985 nga gjithsej 996 ndërmarrje të regjistruara. Ndërsa nuk ka të regjistruara asnjë nga ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha.
“Në kategorinë “Mikro ndërmarrje” (1 deri në 9 të punësuar) janë gjithsej 985 ndërmarrje të regjistruara, në kategorinë “Ndërmarrje të Vogla” (10 deri 49 të punësuar) janë gjithsej 11 ndërmarrje të regjistruara, kurse në kategoritë “Ndërmarrje të mesme” dhe “Ndërmarrje të mëdha“ nuk kemi ndërmarrje të regjistruara këtë muaj”, thuhet në raportin e ASK-së.
Sipas ASK-së aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij mujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 234 (23.5%), Ndërtimtari me 120 (12.0%), Prodhim me 105 (10.5%), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 98 (9.8%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 84 (8.4%), etj.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të regjioneve: Regjioni i Prishtinës prinë me 449 ndërmarrje të regjistruara (45.1%), rajoni i Prizrenit me 121 (12.1%), rajoni i Ferizajt me 102 (10.2%), rajoni i Gjilanit me 95 (9.5%), rajoni i Mitrovicës me 89 (8.9%), rajoni i Pejës me 81 (8.1%) dhe rajoni i Gjakovës me 59 (5.9%).