Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka njoftuar se këtë vit ka rritje të vazhdueshme të numrit të sinjalizimeve.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Buleshkaj ka thënë se vetëm në dy muajt e parë të vitit janë raportuar mbi 15 raste, një shifër më e lartë se vitet e kaluara, kur numri i sinjalizimeve për gjithë vitin ishte më pak se 15.
“Kemi rritje të vazhdueshme të sinjalizuesve vetëm muajt e parë të këtij viti kemi mbi 15 raste që janë raportuar në agjenci dhe shumica dërmuese e tyre janë përfunduar, përderisa në vitet paraprake ka ndodhur që të jenë gjatë gjithë vitit më pak se 15 raste. Ka një numër në rritje të raportimeve. Jo gjithmonë agjencia gjen diçka të rëndësishme, por është e rëndësishme që zyrtarët publikë kanë filluar t’i besojnë institucionit të sinjalizimit dhe si të tillë po na ndihmojnë edhe neve në trajtimin e rasteve. Kemi fuqizuar me staf shtesë, kemi fuqizuar edhe me kushte teknike të punës, dhe si e tillë ka reflektuar edhe në rritjen e numrit të raportimeve. Përveç raportimit të kanaleve të rregullta përmes emailit dhe telefonatave, ne kemi zhvilluar edhe një aplikacion për raportim. Përveç kësaj kemi zhvilluar edhe një aplikacion mobil që është në të gjitha vendet e Kosovës”, ka thënë Buleshkaj.
Ai theksoi se shumica e rasteve janë përfunduar me sukses dhe se ka një rritje të besimit të zyrtarëve publikë ndaj institucionit të sinjalizimit.
“Ky është një lehtësim. Në anën tjetër, zyrtarët e agjencisë kanë autorizime nga drejtori i agjencisë, që në secilën pjesë të Kosovës, kudo që ka sinjalizues të takohet me zyrtarët t’i thërret dhe të takohen të marrin secilën informatë. Rritja e rasteve tregon një besim në agjenci, kjo nuk mund të interpretohet ndryshe, nuk ka ulje, por ka rritje të rasteve. Tashmë kjo nuk do të thotë që janë rritur shkeljet, por ka rritje të guximit të këtyre zyrtarëve për të raportuar çfarëdo lloj shkelje që identifikojnë”, theksoi Buleshkaj.
Ai theksoi se rritja e sinjalizimeve tregon për një rritje të guximit të zyrtarëve për të raportuar shkelje dhe kjo ka ndihmuar në trajtimin e rasteve dhe në përmirësimin e transparencës.
“Ne kemi mënyra të ndryshme të trajtimit të rastit. Nëse ne kemi identifikuar ndonjë shkelje, e cila mund të përmirësohet përmes ndonjë vendimi, ne kërkojmë nga institucionet që ta revokojë vendimin që është nxjerrë në mënyrë kundërligjore. Nëse ka vepër penale potencialisht, ne i përcjellim këto raste, qoftë në polici apo prokurori. Nëse ato raste bien në fushëveprimtarinë te ndonjë institucion tjetër, sepse kemi pasur sinjalizime që janë dërguar qoftë në Doganën e Kosovës, qoftë në ATK , edhe këto raste i kemi përcjellë tek institucioni për t’i trajtuar. Kemi kontribuar në rritjen e besimit, sepse i kemi informuar raportuesit çdoherë”, theksoi Buleshkaj.