Rritet numri i viktimave; 6 të vdekur, 53 të plagosur nga sulmi në Stamboll

Prishtinë | 13 Nën 2022 | 16:37 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë persona kanë mbetur të vdekur dhe 53 të tjerë kanë mbetur të plagosur nga një shpërthim masiv i ndodhur në Stamboll pasditen e 13 nëntorit, ku veprimet e para hetimore janë të orientuara drejt një sulmi me prapavijë terroriste.

Shifrat i ka bërë me dije fillimisht guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaja, i cili ka shpjeguar shkurtimisht edhe situatën aktuale, në rrugën Istaklal, ku shpërthimi ndodhi, duke thënë se katër persona kishin humbur jetën.

“Të plagosurit por trajtohen momentalisht dhe hetimet po kryhen. Ndërsa, i lutemi publikut të tregojë durim, për të marrë përditësimet e fundit zyrtare mbi ngjarjen”, shkroi ai në median e tij sociale Twitter.

Më pas, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, e dënoi sulmin dhe bëri me dije se numri i viktimave kishte shkuar në gjashtë.

Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 16:20 të pasdites, në distriktin e Beyoglu. Një zonë kjo tepër turistike dhe me shumë lëvizje përgjatë gjithë orëve të ditës.

Fillimisht, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në një prej rrugëve, përkatësisht atë Taksim Istiklal dhe një kaos i menjëhershëm u zhvillua në zonë, për shkak të panikut të qytetarëve.

Policia, zjarrfikësit dhe ambulanca shkuan menjëherë në vendngjarje për të parë se çfarë kishte ndodhur dhe aty u përballën edhe me tragjedinë.

Mediave, sipas raportimeve lokale, iu ndalua të afrohen në zonën e goditur dhe përditësimet me lajme janë bërë vetëm në rrugë zyrtare.

Nga ana tjetër, nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm u bë me dije se ky akt po hetohej si një sulm terrorist, por e la të hapur çdo rrugë të mundshme.

Ndërsa, ndihma, vijon ende të jepet në vendngjarje, si edhe po mblidhen dëshmitë e të pranishmëve.

Në vitin 2016, një akt i ngjashëm pati ndodhur në po të njëjtën rrugë, të mbushur me dyqane e pazare, ku një person ka hedhur veten në erë me eksploziv, në një ngjarje që asokohe u arsyetua si sulm terrorist.

Të ngjashme