Ndihma e qeverisë greke për familjet dhe bizneset për të mbuluar tarifat e energjisë elektrike do të arrijë në 2 miliardë euro.
“Në muajin shtator llogaritet të afrohemi në 2 miliardë euro”, tha për mediat në shtetin fqinj ministri Financave, Christos Staikouras.
Subvencioni i shpallur për muajin gusht ishte 1,136 miliardë euro. Konkretisht, tarifa bazë (C1/C1N) e shpallur nga PPC për muajin shtator është 0,788 euro/KWh për konsum deri në 500 KWh dhe 0,800 për mbi 500 KWh.
Çmimet e larta të energjisë për muajin shtator janë si pasojë e rritjes së çmimeve në Bursën e Energjisë, e cila vjen si rezultat i rritjes së çmimeve ndërkombëtare të gazit natyror, dhe thatësirës në Evropë që uli nivelet e lumenjve dhe pengoi funksionimin e centraleve bërthamore dhe termike.