Në Kosovë, tregtimi i shumë produkteve, e sidomos tregu i paluajtshmërive në kohët e fundit, mbase ka 1,5-2 vjet e këtej, praktikisht, funksionon jashtë çdo logjike dhe parimi të ekonomisë së tregut. Në bazë të trendit më të fundit të çmimeve të banesave, të ashtuquajtura kolektive, mund të thuhet se tregtimi i një metri katror i banesave të ndërtuara me shumicë anëkënd Kosovës, madje është abnormal. Sepse, në Kosovë ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, dhe në këtë mënyrë dominon në përmasa goxha të mëdha oferta karshi kërkesës.
Megjithatë, siç shihet, dhe siç dëshmojnë edhe të dhënat nga shitblerjet e banesave, ka kërkesa, ose ka relativisht kërkesa të bollshme për shtiblerje dhe ka çmime enorme të larta të tyre. Çmimi i banesave në Kosovë, kudo, nga dita në ditë, po vjen duke u ngritur vazhdimisht.
Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, flitet se po tregtohet me 2.000 e 3.000 euro, madje edhe përtej këtyre shifrave, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Sado që, thuaja askush, as nga ndërtuesit, e as nga agjencitë e tregtimit të patundshmërive, nuk flet për nivelin stratosferik të çmimeve që kanë arritur në Kosovë, dhe nuk saktëson çmimin e një banese, sipas llogarive të thjeshta, çmimi i banesave edhe në Kosovë, edhe pse tregu i ndërtimeve duket i ngopur dhe i tejngopur, ka shkuar thuaja rreth përgjysmë më lartë se sa ka qenë bie fjala në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2020 dhe shumë më lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Tani një metër katror i një banese në pjesët e qendrës së Prishtinës, siç u tha më lartë, flitet se po tregtohet edhe me 2.000 e 3.000 euro, ndërkohë që vjet ky çmim ka lëvizur më së shumti nga 1.500 deri në 2.000 mijë euro. Njësoj me çmime të ngritura shumë, shiten edhe banesat në lagjet në afërsi të drejtëpërdrejtë me qendrën, por edhe në zonat më periferike të kryeqytetit, ku një metër katror ka arritur në 1.000 deri në 1.500 euro, çmim ky që në vitin e kaluar sillej nga 750 deri në 850 euro.
Çmimet e banesave janë ngritur ndjeshëm edhe në qendrat e tjera të Kosovës, dhe tani një metër katror në zonat e qendrave komunale thuaja askund nuk mund të gjesh nën 700-900 euro, ndërkohë që në vitet paraprake në qytetet e shumta të Kosovës, edhe përgjatë zonave të qendrës, ka dominuar çmimi prej 400-500 eurosh.
Dje në kryeqytet, në lagjen “Tophane” shumë afër hekurudhës Prishtinë-Podujevë, një banesë, ende në ndërtim dhe me afat të përcaktuar të finalizimit të të gjitha punëve dhe dorëzimit të çelsave te blerësi deri në fund të dhjetorit 2023, u shitble për 1.100 euro metri katror.
Banorët rezidentë në këtë lagje, theksojnë për Buletinin Ekonomik, se para një viti, po edhe para disa muajsh, këtë banesë blerësi ka mund të bëjë të vetën për 800-900 euro metrin katror.
Në kompleksin e banesave të reja te ish-selitë dhe punishtet e “Ramiz Sadikut”, në afërsi të drejtpërdrejtë me Pallatin e Shtypit, një metër katror, që para 2-2,5 vjetëve është shitblerë për 900 dhe e shumta deri në 1.100, tani kushton 1.600 deri në 1.800 euro.
Sipas Indeksit të Kostos së Ndërtimit (IKN) për tremujorin e dytë 2022, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të bërë publik kohë më pare, ndërtimet shënuan ngritje për 2.2% në tremujorin e dytë 2022, krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti.
Ndërkaq, krahasuar me çmimet e ndërtimit në tremujorin e dytë të këtij viti me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, Indeksi i Kostos së Ndërtimit pati ngritje për 19.8%.
Në bazë të këtij trendi të ecurive të çmimeve në ndërtimet e Kosovës, del që kryeqyteti i Republikës sonë ka çmime goxha më të larta të banesave se sa, bie fjala, kryeqyteti i BeH, se ai i Malit të Zi dhe i Maqedonisë së Veriut.
Në pjesët e qendrës së Sarajevës një metër katror i një banese dy dhomëshe, deri para katër – pesë muajsh mesatarisht ka kushtuar 1.833 euro, në Podgoricë 1.566 euro dhe në Shkup 1.461 euro. Gjithsesi, tashmë edhe në këto qendra janë çmime të tjera të banesave, por relativisht më të ulëta se sa në Prishtinë.
Shumë më shtrenjtë se sa në Prishtinë, aktualisht janë çmimet e banesave në Beograd, në Zagreb dhe në Lubjanë. Në Zagreb, për shembull, edhe përkundër krizës dhe inflacionit evident në rritje në tregun e paluajtshmërive, kërkesa për banesa dhe hapësira afariste cilësore edhe më tutje është më e madhe se sa oferta. Në Kroaci, siç raportojnë mediet e këtij vendi, në shtatmujor janë lëshuar 7 për qind më shumë leje ndërtimi se sa në të njejtën periudhë të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, siç raportohet, ndërtimtarët kanë shumë punë, edhe pse metri katror i ndërtimeve të reja tashmë është ngritur në 20 për qind krahasuar me vitin që shkoi.
“Është duke u ndërtuar gjithandej në Kroaci, e sidomos në Zagreb”, thotë për mediat atje një agjent i licencuar i paluajtshmërive.
Sipas tij, çmimi në paralagje, ose fare në periferi të kryeytetit kroat, kanë shkuar në 2400 euro metri katror, ndërsa në zonat e qendrës një metër katror ka arritur madje deri në 9.500 euro.
Ndërsa, në agjencitë e tregtimit të paluajtshmërive në kryeqytet, ngurojnë të flasin për çmimet e sakta të banesave në Prishtinë dhe rrethinë. Janë tepër të rralla agjencitë ku japin ecurinë e përafërt të çmimeve, që dita – ditës po bëhen enorme dhe të pamundshme për t’i blerë kosovari i rëndomtë, megjithë faktin, se tani tregu është thuaja se “i ngopur” me oferta të shumta të banesave prej më të ndryshmeve dhe të ambienteve afariste të shumta.
Ndërsa, ndërtimtarët, pronarët e firmave të ndërtimit të këtyre banesave dhe investuesit në këto ndërtime, theksojnë se ecuritë e ngritjes së çmimit të banesave janë kryekëput rrjedhojë e shtrenjtimit të të gjitha materialeve të nevojshme për ta ndërtuar një banesë, e sidomos shtrenjtimi i hekurit (armaturës), bllokave, pllakave dhe karburanteve. Çmimi i ngritur është rrjedhojë edhe e inflacionit te ne, që ka arritur te 20 përqindshi, ose më së larti deri më tash.
Ndërtuesit, përmendin ngritjen e çmimeve edhe të një numri të madh produktesh që i duhen një shtëpie për ta ndërtuar, derisa të finalizohet ajo. Ndërsa, sipas të dhënave të institucioneve ndërkombëtare që përcjellin ekzaktësisht lëvizjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, çmimi i hekurit (armëbetonit) në rajon më 17 qershor ka qenë 1.350 dollarë për një tonelatë. Ndërsa, një tonelatë e hekurit më 9 qershor ka kushtuar 1.400 dollarë.
Nga fillimi i këtij viti, një tonelatë e hekurit çmimin më të lartë në tregjet e rajonit e ka pasur më 4 prill, kur një ton hekur për ndërtimtari ka kushtuar 1.610 dollarë, ndërsa me çmimin më të ulët, 1.300 dollarë për një ton, hekuri është tregtuar më 18 maj, kanë transmetuar mediet e rajonit. S’do mend se çmimi i ngritur 30-40 e më shumë për qind, krahasuar me vitin e kaluar të këtij resursi, ka ndikuar edhe në çmimet e banesave. Madje, kjo lëvizje çmimesh dhe arritja e këtij niveli i çmimit të hekurit, në njëfarë mënyre ka ndikuar që shumë ndërtimtarë kosovarë tërësisht ta ndërprejnë përkohësisht veprimtarinë e tyre biznesore, të prolongojnë këtë veprimtari për në ditë më të mira. Dhe, çuditërisht ndërtuesit, nuk kanë edhe aq ankesa se nuk kanë shitje.
Ata thonë se ka rënë tregtimi i banesave ndjeshëm, por heshtazi e pranojnë këtë rrjedhë dhe në njëfarë mënyre, janë të kënaqur me zyvillimet në këtë treg. Fundja, siç thotë një ndërtues në kushte anonimiteti, “po mos të ishin të kënaqur me ecuritë e tregut, nuk do të ndërtohej kaq shumë dhe në çdo cep të Prishtinës”.
Sipas tij, anomalinë e tregut të banesave në Kosovë, në njëfarë mënyre, e bënë më normale dhe e balancon pak a shumë, diaspora me blerjet ende të numërta të tyre. Mërgata jonë, që ka rezerva parash dhe mundësi më të mëdha për t’i fituar ato, po vlerëson se akoma investimi i parave të tyre në patundshmëri, më konkretisht në tregun e ndërtesave kolektive të banimit, është më i leverdishëm dhe më i sigurtë se sa deponimi i këtyre parave në banka. Prandaj, ka akoma goxha shitje dhe interesim të shprehur për të investuar në banesa dhe pikërisht për këto shkaqe edhe megjithë çmimet e ngritura tejmase të paluajtshmërive në Kosovë, sidomos të banesave në ndërtesat kolektive të banimit, të cilat në vitet e pasluftës “mbinë si kërpudhat” dhe zënë vend me plan dhe pa të, në të gjitha qytetet kosovare, e veçmas në kryeqytet.
Thënë ndryshe, në Kosovë ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, por vazhdon të ketë edhe shumë kërkesa, ose relativisht kërkesa të bollshme për shtiblerje, përkundër çmimeve enorme të larta të tyre. Megjithatë, ndërtimtarët me potencë më të fuqishme financiare po vazhdojnë të ndërtojnë, madje me ritëm të shpejtuar, por edhe të ngrisin çmimet po me ritëm të shpejtuar.
“Në vitet paraprake është ndërtuar shumë më shumë dhe janë nisur së ndërtuari shumë më shumë njësi banesore edhe në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të vendit. Tani ndërtimtaria po vuan lëvizjet e çmimeve në nivelin global që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin pas pandemisë COVID 19, dhe sidomos pas nisjes së luftës ruso-ukrainase. Por, këto banesa që po ndërtohen tani dhe sivjet, nëse nuk janë shitur që në nismë të ndërtimit, në vitin e ardhshëm do të kushtojnë më shumë. Dhe psikoza e ngritjes së çmimeve po i kushtëzon në njëfarë mënyre të gjitha ata që kanë para të blejnë tani banesa, patën apo nuk patën nevojë për to”, i ka thënë Buletinit Ekonomik një ndërtimtar kryeqytetas, me kërkesë të mbetet anonim.
Sipas tij, investimin në banesat e reja, qytetarët që kanë para, po e shohin edhe si mënyrë të ruajtjes së parave nëpërmjet investimit në paluajtshmëri. Prandaj, në këtë mënyrë, edhe në kohë krize, sidomos të krizës financiare me të cilën po përballen shumë qytetarë të Kosovës së varfër, po ka treg për patundshmëritë, e sidomos për tregtimin e banesave edhe me çmime të ngritura. Ai ka përmendur edhe të dhënën se një numër jo i vogël kosovarësh, tregtimin e banesave e bëjnë nëpërmjet ratave kreditore. Dhe ka edhe të tillë, që me këtë blerje e valorizojnë goxha shumë paranë e tyre, duke e shitur banesën e blerë para 2/3 vjetësh, qoftë me para të gatshme, qoftë me kredi.
Në Kosovë, banesat deri më tash janë blerë thuaja vetëm nga kosovarët dhe diaspora kosovare, dhe në raste fare të rralla ka ndodhur deri më tash që pronarë banese të bëhet ndonjë shtetas i huaj, siç ndodh në disa vende të tjera të rajonit, bie fjala.
Në Shqipëri, në bregdetin e saj sidomos, tashmë ka kohë që goxha një numër i theksueshëm shtetasësh të huaj, kanë blerë banesa. Po kështu ka ndodhur në Mal të Zi dhe sidomos në Kroaci. Sidoqoftë, në Kosovë po ndërtohet goxha shumë edhe në këto kushte të çmimeve të larta të materialit ndërtimor dhe të krizës evidente financiare në vend, nuk është që nuk ka shitje të banesave. Ndërtimtarët, madje edhe nuk brengosen fare për ecuritë qoftë edhe të ngadalësuara të shitjes së tyre. Ata, për tregtimin e banesave presin ditë më të mira, që nënkupton çmime të reja të ngritura, sado që ritmi i kërkesave për të blerë banesa ka rënë. Deri tani, parashikimet e ndërtimtarëve po realizohen.