Rritja e rasteve me Coronavirus në Shtëpinë e Bardhë nuk ndikon në funksionimin e Qeverisë së SHBA-së

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

Në mediume është raportuar se dy pjesëtarë tjerë të stafit të Shtëpisë së Bardhë kanë rezultuar pozitiv me koronavirus.

E pyetur nëse koronavirusi në mesin e stafit të administratës Trump dhe sentaorëve republikanë në SHBA po dëmton aftësinë e funksionimit të qeverisë federale, McEnany ka thënë se jo aspak.

Ajo këtë e ka thënë gjatë një interviste për “Fox Business Network”.

Në ndërkohë, dy anëtarë tjerë të stafit në Shtëpinë e Bardhë kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, një ditë pasi që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është kthyer në Shtëpinë e Bardhë pas tri netëve qëndrimi në spital me koronavirus.

Një nga shërbyesit e Trumpit, një anëtar aktiv i ushtrisë së SHBA-së që ka udhëtuar me presidentin javën e kaluar, është i infektuar me koronavirus, ka njoftuar Bloomberg, duke cituar burime.

Po ashtu është raportuar se një ndihmës tjetër ushtarak i Trumpit është infektuar me virus.

Deri më tash janë regjistruar së paku 16 raste me koronavirus në mesin e stafit në Shtëpinë e Bardhë dhe personave që kanë vizituar së fundi kompleksin, përfshirë këtu edhe McEnanyn.

Disa pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë ishin infektuar me koronavirus më herët këtë vit.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Sean Conley, ka thënë se presidenti Donald Trump është shumë mirë dhe nuk po shfaq simptome të COVID-19.

“Ai ka pasur një natë të qetë dhe sot nuk ka raportuar për simptome. Shenjat vitale dhe kontrolli fizik mbetet stabil, niveli i oksigjenit është 95-97 për qind. Në përgjithësi ai është mjaft mirë”, është thënë nga Conley.

Të ngjashme