Aspektet e të drejtave të njeriut sipas Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2024, ishte temë diskutimi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione me Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, raporton Ekonomia Online.
Qelaj ka thënë se të gjitha shqetësimet janë trajtuar në vazhdimësi nga institucioni që ai e drejton, ndërsa shqetësuese e sheh rritjen e numrit të rasteve të dhunimit ndaj vajzave të mitura.
“Çështjen e dhunës seksuale kemi parë me shumë shqetësim. Para dy muajsh kemi mbajtur takim me akterët që trajtojnë dhunën seksuale. Kemi siguruar edhe një statistike, gjendja është alarmante numri i raste të dhunimit të vajzave të reja është trend në rritje dhe gjendja është shqetësuese. Sa i përket mediave, ose gjuhës që shfaqet në media, gjuhës se urrejtjes. Kemi parë që në përgjithësi ekziston një standard të lirisë së mediave. Natyrisht që janë komisionet kushtetuese që shqyrtojnë këto raste”, ka thënë Qelaj.
“Raporti i Progresit ka treguar një progres por mund të jete shqetësuese sepse në vazhdimësi kemi problematike të njëjta dhe duhet të ketë me shumë vëmendje. Është konsideruar si një sukses koordinimi me Avokatin e Popullit dhe Zyrës për Qeverisje të Mirë. Është e domosdoshme dhe kyçe që të mbikëqyrë rekomandimet me agjencitë ekzekutive që i kontrollon. Vazhdimisht kemi prezantuar raport periodike dhe vjetore ku kemi prezantuar qartë edhe përmbushjen e detyrimeve. Shumica prej tyre janë zbatuar dhe kanë mbetur disa të pa zbatuara. Gjatë këtij viti kemi trajtuar dy aspekte e para është shëndeti mendor mbi 65 vjet, dhe e dyta raporti për shëndetin për fëmijët”, u shpreh Qelaj, teksa evidentoi ngecjet në sistemin e drejtësisë dhe zvarritjen e lëndëve gjyqësore për shkak të mbingarkesës së lëndëve.
“Ka pasur ngecje në formën e drejtësisë, mbingarkesa me lëndë është çështje tjetër mbi dhjetëra mijëra shkojnë në procesin gjyqësor. Zbatimi i ligjit nuk është në masën e duhur, qytetarët kërkojnë mbrojtje gjyqësore dhe është rritur koha e lëndëve të papërfunduara”, shtoi ai.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, pyeti rreth trajtimit që po marrin ish-krerët e UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
“Sot janë bërë katër vite që kur janë arrestuar krerët e UCK në Hagë. Shpeshherë ka pasur cenim të drejtave të njeriut. Siç ishte rasti i fundit i Jakup Krasniqi me 8 vetura. Më intereson se a jeni duke monitoruar”, pyeti Musliu.
Kurse Avokati i Popullit tregoi për vështirësitë që ka hasur gjatë vizitës që u ka bërë ish-krerëve të shtetit.
“Lidhur me Gjykatën Speciale kam qenë në vizitë, ka qenë një situatë jo e përshtatshme sepse më është dashur leje për të takuar. Më është dukur e padrejtë me ma refuzu kërkesën e vizitës. Kam arritur me vizituar dhe kam biseduar me shqetësimin me trajtimet në burg dhe problemet me vizita. Kam dalë me qëndrime ku edhe është publikuar në raportin e vitit 2021. Aktualisht ajo çka vërej nuk ka të bëjë me të akuzuarit por edhe me viktimat që e konsideroj si një rrezik që do të na dërgon në një diskriminim ndaj qytetarëve që trajtohen në Gjykatën Speciale”, ka thënë ai.