Komisioni Europian përmirësoi parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë 2018-ës, për shkak të ecurisë pozitive në gjysmën e parë të vitit.
Në raportin e fundit periodik mbi ecurinë e ekonomisë europiane, Komisioni vlerëson se prodhimi kombëtar në Shqipëri do të rritet këtë vit me 4.1 për qind nga 3.6 për qind që ishte parashikimi i mëparshëm.
“Përmirësimi i ekonomisë shqiptare vazhdoi në gjysmën e parë të 2018-ës për shkak të motit të favorshëm dhe sezonit të mirë turistik” , thuhet në raport.
Sipas Komisionit, në krahun e kërkesës, ekonomia ka përfituar nga zgjerimi i konsumit privat, i cili është mbështetur nga rritja e punësimit dhe rritja e pagave.
“Punësimi në Shqipëri u rrit me 5% në terma vjetorë dhe ky trend solid në krijimin e vendeve të punës pritet të vazhdojë duke e ulur papunësinë nën 11 për qind brenda 2020-ës”, sipas KE-së, shkruan Top Channel.
Komisioni Europian vëren se rritja ekonomike e shoqëruar me politikën konsoliduese të taksave kanë sjellë uljen graduale të borxhit publik.
Sipas tij, deficiti buxhetor për vitin 2018 pritet të mbetet brenda kufirit ligjor 2 për qind, duke bërë që borxhi të vazhdojë të ulet.
Por ekspertët e Komisionit Europian paralajmërojnë se një rritje më e ngadaltë e të ardhurave se sa parashikimi dhe shpenzimet potenciale për koncesionet përbëjnë një risk negativ për planin e qeverisë për të ulur borxhin në 63.5 për qind brenda vitit 2020.
Sipas Komisionit, nëse borxhi do të ulet më ngadalë nga sa është parashikuar atëherë kjo do të minonte tregjet financiare dhe besimin tek ekonomia shqiptare duke goditur rritjen e saj.