Rritje drastike e çmimeve në Gjermani, mund të ketë edhe mungesa

Prishtinë | 09 Tet 2021 | 12:00 | Nga Ekonomia Online

Në Gjermani, në muajt e ardhshëm, do të ketë një rritje të madhe të çmimit të produkteve, dhe prodhuesit po “kërcënojnë” deri në 25 për qind çmime më të larta të produkteve ushqimore, raporton revista Fenix.

Prodhuesit si Nestlé dhe Henkel aktualisht janë duke negociuar me zinxhirë të mëdhenj të shitjes me pakicë për një rritje drastike të çmimit. Portali “Lebensmittelzeitung”, i cili publikon lajme që lidhen me tregtinë dhe ushqimin, shkruan se prodhuesit e makaronave gjithashtu planifikojnë të rrisin çmimet, transmeton FrontOnline. Për shembull, makaronat nga Birkel, prodhuesi më i madh gjerman i makaronave të thata, mund të jenë 19 për qind më të shtrenjta se çmimi i mëparshëm, dhe makaronat nga Buitoni mund të jenë deri në 25 për qind më të shtrenjta.

Arsyeja e rritjes është çmimi i sheqerit, drithërave dhe përbërësve të tjerë, të cilët janë rritur me 40 për qind në 12 muajt e fundit. Zinxhirët e mëdhenj të shitjes me pakicë në Gjermani ende po përpiqen të luftojnë rritjen e planifikuar të çmimeve të shpallur nga prodhuesit. Kjo gjithashtu mund të çojë në mungesë të disa produkteve në dyqane.

Në të kaluarën, në situata të tilla, disa zinxhirë me pakicë nuk porositnin produkte të caktuara në mënyrë që të bënin presion mbi prodhuesit dhe kështu të përpiqeshin të parandalonin rritjen e çmimeve.

Në një intervistë për Bild-in gjerman, Bernard Burdik nga qendra e konsumatorit në Nordrhein-Westfalen propozon një përjashtim nga TVSH-ja për frutat dhe perimet në mënyrë që të mbajë një dietë të shëndetshme të përballueshme. Politikanët gjithashtu bëjnë sugjerime se si të zvogëlohet inflacioni. Politikani i CDU Johannes Steiniger, për shembull, po propozon heqjen e tarifave të gjelbra të energjisë elektrike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme