Rrjeti i Grave të Kosovës i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes së cilës ka kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj.
“Çështja e personave të pagjetur është çështje e të drejtave të njeriut. Për më tepër, ashtu siç kanë treguar hulumtimet, duke përfshirë këtu edhe hulumtimin e ardhshëm të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Ku është vendi im në tryezë”, çështja e të pagjeturve është ndër çështjet më të rëndësishme që qytetarët e Kosovës duan të adresohet nga qeveria, drejt arritjes së paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon. Andaj, kjo është një çështje e rëndësishme për RrGK-në dhe anëtaret e saj. Në mesin e udhëheqësve tanë politikë, Saranda Bogujevci ka shërbyer si një nga zërat më të fortë që kemi pasur, duke qenë vetë e mbijetuar e mizorive çnjerëzore. Që nga momenti kur u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, ajo ka përfaqësuar interesat e qytetarëve të Kosovës duke ngritur çështjen e rëndësishme të të pagjeturve. Ajo ka përmbushur detyrën e saj si deputete, për të përfaqësuar interesat tona dhe për të adresuar këtë shkelje serioze të të drejtave të njeriut. Për dallim prej saj, në anën tjetër, kemi një zyrtar qeveritar, zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, i cili jo vetëm që nuk i përfaqëson plotësisht interesat e qytetarëve të Kosovës, por madje po fyen drejtpërdrejt ata dhe përfaqësuesit e tyre si Saranda Bogujevcin, e cila ka përfaqësuar zërat tanë. Si zëvendëskryeministër, deklaratat e tij nuk përfaqësojnë thjesht atë si individ, por ato përfaqësojnë Qeverinë e Kosovës. Kështu, përmes tij, qeveria po ofendon qytetarët e saj”, thuhet ndër të tjera në letër.
Nga Rrjeti i Grave është thënë se në vitin 2015, Aleksandar Jabllanoviq, atëbotë ministër i Qeverisjes Lokale, si përfaqësues i Qeverisë i ofendoi familjet e të pagjeturve. Populli i Kosovës u ngrit dhe kërkoi shkarkimin e tij. E pas kësaj, kryeministri Isa Mustafa e shkarkoi atë.
“Kjo është hera e dytë që një ofendim i tillë vjen nga qeveria, dhe rezultati tani nuk do të duhej të ishte ndryshe. Andaj, ne u bashkëngjitemi mijëra qytetarëve, duke përfshirë ata që tashmë kanë nënshkruar peticionin online, në thirrjen për shkarkimin e menjëhershëm të Selmanajt. Kjo është e drejtë e popullit: të kërkojë përgjegjësi nga udhëheqësit tanë politikë për të përfaqësuar interesat tona. Duke qenë se grumbullimet e njerëzve dhe protestat masive nuk janë të lejuara me masat për luftimin e pandemisë COVID-19, unë personalisht kam marrë vendim që të qëndroj para qeverisë për një orë, çdo ditë pune, duke filluar nga sot në ora 12:00, derisa Selmanaj të shkarkohet”, është thënë ndër të tjera në letrën dërguar Hotit nga drejtoresha ekzekutive e Rrjetit të Grave, Igballe Rogova.