Rrjeti propagandistik rus “Pravda” targeton audiencën shqipfolëse me narrativa ruse-serbe

Prishtinë | 18 Qer 2025 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti propagandistik rus “Pravda” ka intensifikuar fushatën e dezinformimit në rajon përmes përmbajtjes në gjuhën shqipe, duke mohuar shtetësinë e Kosovës dhe duke e krahasuar me Krimenë, raporton Ekonomia Online.

Këto gjetje u prezantuan në konferencën “Sfidat e çrregullimit informativ në Kosovë”, organizuar nga Hibrid.info.

Sipas raportit të publikuar, domeni në gjuhën shqipe i Pravda është aktiv që nga marsi 2024, dhe deri në prill 2025 janë publikuar rreth 3 mijë artikuj që synojnë audiencën shqipfolëse, shpesh me përmbajtje nxitëse dhe anti-perëndimore.

Hulumtuesi i Hibrid.info, Festim Rizanaj, ka deklaruar se “Pravda” është pjesë e një operacioni të koordinuar online nga Kremlini, që përhap propagandë pro-ruse përmes faqeve të maskuara si portale informative.

Sipas tij, kjo platformë kritikon vazhdimisht Perëndimin dhe NATO-n, duke promovuar narrativat ruse edhe në gjuhën shqipe.

Megjithatë, Rizanaj theksoi se ndikimi i kësaj propagande në audiencën shqiptare është ende i ulët, për shkak të përkthimeve të dobëta dhe mungesës së shpërndarjes efektive në rrjetet sociale, duke shtuar se Ballkani është në shënjestër kryesore të “Pravda”.

Në mesin e këtyre 3 mijë artikujve ka artikuj pro rus dhe pro serb, hulumtuesi theksoi bashkëpunimin Moskë-Beograd si dhe glorifikimi liderëve si Vuçiq.

Të ngjashme