Në Ferizaj kanë filluar së realizuari projektet e infrastrukturës rrugore që lidhen hyrje-daljet e qytetit me arteriet kryesore, siç është rasti i rrugës “Astrit Bytyçi”, e cila lidhet me magjistralen Prishtinë-Shkup.
Sipas kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, ky projekt ka qenë i pranishëm në të gjitha planet urbanistike që nga vitit 1986.
“Ka munguar aftësia e të gjitha pushteteve për ta funksionalizuar këtë rrugë. Por, falë angazhimit permanent në shpronësimin dhe vlerësimin e pasurisë së tundshme të familjes së Bajraktarëve, procedurat janë realizuar, përkundër faktit që po kontestohet çmimi i vlerësimit. Kështu janë krijuar mundësi për vendosjen e kanalizimit dhe kolektorit të pjesës lindore të qytetit, pas së cilës do të fillojë procedura e tenderimit për asfaltimin e kësaj rrugë tepër të rëndësishme për qytetin e Ferizajt”, ka thënë Svarqa.
Me këtë rast Komuna e Ferizajt ka falënderuar familjen e Bajraktarëve për mirëkuptim gjatë fillimit të realizimit të këtij projekti dhe Policinë e Kosovës për mbështetje gjatë tejkalimit të kontesteve me rastin e realizimit të projekteve infrastrukturore.