“Askush nuk lind duke urryer një person tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, prejardhjes apo fesë së tij. Njerëzit duhet të mësojnë të urrejnë, dhe nëse ata mund të mësojnë të urrejnë, mund të mësojnë të duan, sepse dashuria vjen më natyrshëm në zemrën e njeriut se sa e kundërta e saj”. Lirimi i Nelson Mandelës nga burgu në vitin 1990, është një moment që shumëkush nuk do ta harrojë kurrë.
I cilësuar një terrorist për udhëheqjen e tij të Kongresit Kombëtar Afrikan (ANC) dhe i mbajtur në burg për 27 vjet, Mandela i dha fund sundimit të pakicës së bardhë dhe ndarjes të rreptë racore në Afrikën e Jugut. Ai fitoi çmimin Nobel për Paqe në vitin 1993, së bashku me Frederik Villem de Klerk, për dhënien fund në mënyrë paqësore të aparteidit dhe formimin e një qeverie të re demokratike në Afrikën e Jugut, të cilën e udhëhoqi si president për 5 vite.
Autobiografia e Mandelës e botuar në vitin 1995, rrëfen jetën e hershme e tij, edukimin, dhe përvojat në burg, veçanërisht 18 vitet e kaluara në Robben Island, ku ai detyrohej të kryente punë të rënda në një gurore gëlqereje, mbyllej vazhdimisht në izolim, dhe mbahej në një qeli të lagur me një rrogoz kashte si shtrat.
Pjesa më e madhe e autobiografisë është e bazuar në dorëshkrimin “Mandela” të shkruar në burg. “Rruga e gjatë drejt lirisë” u shndërrua në librin më të shitur të të gjitha kohërave në fushën e kujtimeve politike, dhe Mandela do të mbahet përherë mend si figura atërore e post-aparteidit në Afrikën e Jugut. Ai vdiq në vitin 2013.