Kosova të premten (sot) mëson nëse në tentim për të arritur në “Euro 2020” duhet të bëjë dy udhëtime apo vetëm një. Është e qartë që më 26 mars të vitit tjetër përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë në udhëtim ndaj Maqedonisë Veriore, në gjysmëfinale të plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Në gjysmëfinalen tjetër të plejofit të Ligës D takohen Gjeorgjia e Bjellorusia, të njëjtën ditë. Shorti i së premtes do të përcaktojë se fituesi i cilës gjysmëfinale do të jetë vendas në finale të plejofit të Ligës D, që zhvillohet më 31 mars. Fituesi i finales kualifikohet në Evropian, shkruan sot Koha Ditore.
Te Kosova dhe te tifozët e saj “dardanët”, tashmë ka nisur të diskutohet për udhëtimin e 26 marsit. Mbetet e paqartë nëse do të jetë një udhëtim më i shkurtër, deri në Shkup, apo një udhëtim më i gjatë, në ndonjë qytet më larg kufirit me Kosovën. Federata e Futbollit e Maqedonisë Veriore nuk ka njoftuar ende zyrtarisht nëse ndeshjen me Kosovën do ta organizojë në Shkup apo në ndonjë qytet tjetër. Maqedonia Veriore ndeshjet si vendas i luan në Shkup, me pak përjashtime.
Shkupi është fare pranë kufirit me Kosovën, ndërsa në këtë qytet banojnë shumë shqiptarë. Për nga numri i banorëve, Shkupi vlerësohet prej qyteteve të mëdha shqiptare. Për Kosovën vlerësohet me shumë interes që ndeshja me Maqedoninë Veriore të luhet në Shkup. Pritshmëritë janë që Kosova të ketë përkrahje të madhe nga tifozët në rast se takimi luhet në kryeqendrën e Maqedonisë Veriore. Shumë do të udhëtonin nga Kosova e po ashtu llogaritet në përkrahjen e shqiptarëve që janë në Maqedoninë Veriore, apo të paktën në paanshmëri të tyre.