Nuk është dashur shumë që Burim Kukeli të mos merrej me futboll. Ai kurrë nuk do të ishte bërë një fitues i Kupës së Zvicrës, kurrë nuk do të përballej me Portugalinë e Cristiano Ronaldon dhe nuk do të kishte luajtur as para 60 mijë shikuesve në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë.
Mirëpo, Kukeli ka një vullnet të madh, e po ashtu një etikë të punës që e ktheu në fushë të futbollit dhe e bëri futbollist profesionist, shkruan faqja zyrtare e klubit zviceran SC Kriens.
Në një moshë, ku futbollistët e tjerë luajnë nëpër ligat më të forta, Burim Kukeli si 22-vjeçar luante në Kategorinë e Katërt të Zvicrës me FC Schotz. Me ekipin kishte rënë nga rangu i tretë dhe pak mendonin se ai do të bënte karrierë ndërkombëtare.
Burim Kukeli herët është angazhuar për një karrierë në futboll. Te FC Solothurn ai luante te juniorët. Ai ishte në mesin e talenteve në skuadër, të cilët mund t’ia dilnin. Por, tema për futboll profesionist nisi vetëm pasi erdhi koha për të bërë ngjitjen nga juniorët në futbollin e të rriturve. Solothurni, Olteni dhe Zofingeni ishin tri stacionet e tij të para si futbollist aktiv. Më pas në verën e vitit 2005 erdhi transferimi te FC Schotz. Burim Kukeli i ri kishte filluar të mendonte nëse do të mbetej vetëm ëndërr që të bënte karrierë profesioniste në futboll.
“Unë po bëja praktikë te Rivella, stërvitja tri herë në javë te Schotz, një ndeshje në fundjavë. Por, e dija se kështu nuk mjafton për t’u bërë profesionist”, ka treguar Kukeli.
Ai u përqendrua plotësisht në një drejtim. Ai vazhdoi të punonte te Rivella, por vetëm tri ditë në javë, nga e hëna deri të mërkurën. Të enjten e të premten ushtronte seriozisht. Kur Burim Kukeli flet sot për fillimin, ai emocionohet. Tregon se si babai i tij kishte mbështetur vendimin që kishte marrë ai.
“ Unë kam dashur së paku të provoj, të përqendrohem plotësisht në futboll. Edhe nëse nuk do të funksiononte, nuk do të ishte fundi i botës. Por, së paku doja të provoja”, rrëfen Kukeli.
Kur ra Schotz në kategorinë e katërt, Burim Kukeli kishte oferta nga ekipe të Kategorisë së Dytë.
“Unë doja të luaja në Superligën e Zvicrës, pasi Kategoria e Dytë do të ishte vetëm përkohshëm”, ka treguar Kukeli.
Menjëherë Schotz u ngrit në Kategorinë e Tretë dhe ai ishte një nga më të mirët në fushë. Më pas erdhën kontaktet nga Superliga.
“Young Boys më ftoi në prova. Martin Andermatt ishte trajner. Pas një javë ai më dha një fanellë të Young Boysit, me fanellën numër 18. Unë mendova se e sigurova transferimin”, tregon Kukeli. Por, Young Boys nuk u lajmërua më dhe e transferoi pak kohë më vonë Sven Luscherin nga SC Kriens.
Burim Kukeli vazhdoi të mendonte nëse mund t’ia dilte. Bruno Galliker e donte mesfushorin luftarak qysh te SC Kriens dhe provoi edhe te FC Luzerni, ku ishte drejtor sportiv. Në moshën 24-vjeçare, Kukeli në dhjetor të vitit 2008 firmosi kontratën e parë me FC Luzernin.
“Ishte një hap i madh për mua. Dy stërvitje në ditë, këtë ritëm nuk e kisha provuar. Po ashtu duhej të përshtatesha në famën si lojtar i Luzernit. Në të gjitha që ndodhnin jashtë fushë, si angazhimet me media, terminët për të dhënë autografe për tifozët, për sponsor. Ishte një botë krejt tjetër për mua”, ka treguar Kukeli.
Një botë që në fillim gati sa nuk e përpiu. Një lëndim ia prishi fillimin e stinorit. U desh të merrej me rehabilitim në vend se të ishte në kamp stërvitor.
Lëndimet e kanë përcjellë Burim Kukelin gjatë karrierës, por edhe vullneti për t’u kthyer vazhdimisht në fushë.
Në momentin kur Kukeli arriti të depërtonte te Luzerni në stinorin e parë dhe luante rregullisht, erdhi një lëndim i meniskut që e mbajti atë jashtë fushe për disa muaj. Mjekët i thanë se rrezikohej karriera. Por, ai e gjeti rrugën e kthimit. Ai e kërkoi një fizioterapeut të vetin që do të forconte muskulaturën në këmbën e tij.
“Po ashtu stërvita si i çmendur, tri herë në ditë. Sot nuk do ta bëja këtë. Nuk ishte e shëndetshme për trupin tim”, thotë Kukeli.
Nga Luzerni u largua pas katër vjetëve, duke u bërë lojtar i stabilizuar në Superligë. Ai kaloi te FC Zuerichu.
“Unë do të qëndroja me dëshirë, edhe për më pak para. Por, Luzerni nuk deshi të më vazhdonte kontratën”, tregon Kukeli.
Por, Zuerichu ishte klub i fatit për Kukelin. Ai fitoi Kupën e Zvicrës në vitin 2016 dhe u bë reprezentues i rregullt i Shqipërisë.
“Unë e refuzova ftesën e parë të kombëtares, pasi që më kontaktuan vetëm tri ditë para se të shkoja në pushime. U thashë: ‘Më vjen keq, nuk mundem, kam rezervuar pushimin’. Më pas nuk llogarita në ftesë tjetër”, tregon Kukeli. Por, disa javë më vonë erdhi mesazhi nëse ka dëshirë që të luajë me kombëtaren. Ai kishte, e po ashtu kishte edhe kohë.
Më 7 shtator të vitit 2012, Kukeli luajti ndeshjen e parë me Shqipërinë kundër Qipros në kualifikime për Evropian. Shqipëria fitoi 3:1. Katër vjet më vonë u kualifikua Shqipëria për herë të parë për Evropian.
“Në këtë kohë përjetova çdo gjë që mund të përjetosh në futboll”, ka treguar Kukeli.
Shqipëria në kualifikime kishte mposhtur edhe Portugalinë. Burim Kukeli në atë ndeshje pati punë me superyllin Cristiano Ronaldo.
“Kundër Portugalisë, si Shqipëri nuk ke fare gjasa. Portugalia është në një nivel tjetër. Por, si skuadër arritëm që të mposhtnim Portugalinë”, ka treguar Kukeli.
Ai e kujton përballjen me Ronaldon.
“Nuk kishte shenja arrogance, shumë miqësor. Siç janë krejt yjet e mëdha. Më të vështirë janë lojtarët që nuk e kanë arritur nivelin më të lartë, por që mundohen të sillen si të tillë”, ka thënë Kukeli.
Detyra të mëdha prisnin Burim Kukelin dhe Shqipërinë në Evropianin 2016 në Francë, tetë vjet pasi që Kukeli vendosi të vendoste të gjitha kartat te futbolli.
“Para ndeshjes në Evropian me Zvicrën i thashë vetes: Shijoje momentin, edhe ashtu ke fituar. Ka qenë diçka shumë e bukur. Zviceranët dhe shqiptarët festuan së bashku në stadium. Në fushë ishte mjaft ndeshje e fortë, por edhe korrekte. Mendoj se kjo ndeshje u ka bërë shqiptarëve në Zvicër mirë, por edhe unë si zviceran kam fituar 1:0”, thotë Kukeli.
Pas Zvicrës pasoi ndeshja me Francën në prani të 60 mijë shikuesve në Marseille. Antoine Griezmann, Paul Pogba e N’Golo Kante ishin kundërshtarë.
“Ishte skuadër gjigante. Një kualitet të tillë nuk kam parë kurrë. Pogba u aktivizua vetëm në pjesën e dytë dhe menjëherë ndryshoi ritmi i lojës”, tregon Kukeli.
Franca shënoi dy gola në minutat 90-të dhe 96-të e fitoi 2:0. Shqipëria u eliminua.
“Për mua Evropiani ishte si një vizitë në një botë tjetër. Shkoi shumë shpejt”, tregon mesfushori.
Në shtëpi në Zvicër e priste Kategoria e Dytë me Zuerichun në vend të Parisit. Nuk kishte më 60 mijë shikues.
“Mentalisht ishte e rëndë, të stërvitem për Kategorinë e Dytë menjëherë pas Evropianit”.
Një vit më vonë Burim Kukeli u përshëndet nga Zuerichu, pasi me klubin u ngjit në elitën e Zvicrës. Ai me Sionin firmosi kontratë dyvjeçare. Ai kishte menduar se Sioni do të jetë ndalesa e fundit. Ai luajti vetëm 14 ndeshje me Sionin dhe mori një lëndim tjetër.
“Pas dy vjetëve Sioni vendosi të mos më vazhdonte kontratën. Nuk mund të ankohem, pasi isha shpesh i lënduar”, thotë mesfushori. “Por, po të dinte Sioni se do të kthehesha sërish në nivel që jam tash te Kriensi, do të ma kishte vazhduar kontratën”.
Me të ardhmen sportive të hapur, sërish kontaktoi Bruno Gallikeri, personi që i ofroi atij kontratën e parë profesioniste. Kukeli ishte në pushime.
“Ishte një bisedë e mirë dhe në fund vendosa me zemër të provoja te SC Kriensi”, tregon Kukeli. “Te Kriensi duhet të marr më tepër përgjegjësi. Por, ndihem shumë mirë këtu”, thotë Kukeli.