Në vitin 2018, ka ekzistuar shansi më i mirë që të ketë një skenar pozitiv për vendimmarrje nga mekanizmat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe tashmë e ardhmja është e paqartë, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane. Sipas tyre, marrja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, e cila do t’ua mundësonte atyre lëvizjen e lirë në zonën Schengen, mbetet sfidë për institucionet e vendit.
Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK) duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që viti 2019 do të ketë mjaft paqartësi lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“E para, ne e kemi presidencën rumune, nga janari. Pra, një vend që nuk na njeh. Pastaj, çështja e diskutimeve për Brexit, ku po i shohim diskutimet e fundit që po ndodhin. Më pas, janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Të gjitha këto e bëjnë vitin 2019 mjaft të paqartë sa i përket këtij procesi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Nuk do ishte e drejtë që udhëheqësit institucionalë të Republikës së Kosovës të përmendin data, sa i përket këtij procesi. Të mos ngritin pritshmëri joreale te qytetarët tanë. Kjo po bëhet prej politikës për të fituar poenë politikë. Në fund, po e rrisin frustrimin qytetar, por edhe po humbin poenë politikë”, tha Kryeziu.
Jehona Lushaku-Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, liberalizimi i vizave mbetet sfidë për institucionet e Kosovës. Por, sipas saj, jo vetëm për vitin 2019, por edhe për vitin 2020 mbetet pikëpyetje, nëse merret parasysh moskonsistenca e politikanëve aktualë të BE-së, pavarësisht premtimeve që i kishin dhënë Kosovës.
“Ka dilema se cili grup parlamentar ose cili grup i partive politike do ta fitojë shumicën (në Parlamentin Evropian), çfarë platforme dhe çfarë qasje do të kenë ndaj Ballkanit. Unë besoj që në këto politikat e zgjerimit ka një konsistencë dhe mund të ketë konsistencë në gjithë planifikimin strategjik, i cili është bërë edhe publikimin e strategjisë së zgjerimit, por mbetet për t’u parë. Më e sigurt ka qenë marrja e vendimit më 2018, në bazë të deklaratave që i kemi pasur, se sa që është bërja e liberalizimit më 2020, sepse përcillet me një varg pikëpyetjesh”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas zbardhjes së situatës që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian nuk do ta ketë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e takimit të zhvilluar më 6 dhe 7 dhjetor, pati theksuar se kjo nuk mund të quhet si dështim i Kosovës.
“Dështimi nuk është definicioni që e kualifikon gjendjen. Pra, është një gjendje e papërmbyllur. Sikur e dimë, pjesa e njërës palë, e Kosovës, është përmbyllur, është përmbushur. Pra, tavolina ku unë ulem, ajo e Qeverisë, e ka kryer punën e saj, në bazë të autorizimeve të veta kushtetuese, ligjore dhe të marrëdhënieve me BE-në, për të cilat është rënë dakord”, pati thënë Haradinaj.
Megjithatë, Kryeziu shpreh mendimi që Kosovës i mbeten mjaft sfida në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, të cilave duhet qasur, në mënyrë që krijojë argumente shtesë se e meriton liberalizimin e vizave. Sipas tij, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sipas të dhënave nga muaji qershor i vitit 2018, vetëm 13 për qind është arritur të zbatohet plani kombëtar për zbatimin e MSA-së. Gjithashtu, sipas tij, lidhur me agjendën evropiane të reformave, e cila është adresuar në fund të vitit 2017, nga 22 prioritet e kësaj agjende, Kosova ka plotësuar vetëm 4 prej tyre plotësisht.
“Të gjitha këto tregojnë që në kuadër të agjendës evropiane ka pasur një regres. Ajo çfarë mund të bëjë Kosova, është që t’iu kthehet reformave. Në qoftë se ku koalicion (qeverisës) është thirrur si ‘koalicion i vendimeve të mëdha dhe reformave të mëdha’, ajo që kemi parë është që nuk ka pasur as vendime të mëdha e as reforma të mëdha. Realisht, kjo kërkon adresim, që të kryhen punët e shtëpisë në Prishtinë dhe të prodhohen lajme pozitive në Prishtinë. Të adresohet agjenda evropiane në Prishtinë dhe pastaj të shkohet në Paris, në Bruksel apo Amsterdam që të kihet me çka t’u thyhet mendja këtyre vendeve, të cilat po hezitojnë që ta përfundojnë vendimmarrjen politike rreth këtij procesi”, u shpreh Kryeziu.
Sidoqoftë, procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Kosova ka pasur për detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.
Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po këtij viti, Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në muajin dhjetor, Këshilli i Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, japin vlerësimet e tyre, nuk e kanë futur fare në agjendën e takimit të tyre çështje liberalizimit vizave për Kosovën.
Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka përmendur vitin 2020, si kohën më optimale kur Kosova do të mund sërish të pres një vendim eventual pozitiv për liberalizimin e vizave.