Rruga Tiranë-Elbasan përfundon në dhjetor 2018

Prishtinë | 20 Sht 2018 | 14:41 | Nga

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri tha sot se punimet për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan pritet të mbyllen në fund të muajit dhjetor të këtij viti.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, me vlerë 16 milionë USD ndërmjet Shqipërisë dhe Fondit OPEC, për riparimet emergjente të autostradës Tiranë – Elbasan”, Gjiknuri tha se, punimet që do të kryhen do të zgjidhin përfundimisht problemin e rrëshqitjeve në segmentin Nr 3 të rrugës Tiranë-Elbasan.

“Aktualisht kemi mbyllur procedurën për segmentin Nr 3 (Dalje e Tunelit – Elbasan ). Aty ka pasur një rrëshqitje, një fenomen gjeologjik dhe pas studimit të detajuar i është dhënë një zgjidhje përfundimtare inxhinierike dhe këto ditë është shpallur edhe fituesi dhe shumë shpejt edhe kjo pjesë do të riparohet përfundimisht dhe rruga Tiranë- Elbasan në fund të vitit do të jetë një rrugë metë gjitha standardet dhe e përfunduar ashtu siç duhet”, tha Gjiknuri.

Gjatësia totale e rrugës është 27 km, gjerësia është 28 m, me dy karexhata të pavarura me nga dy korsi lëvizje (me gjerësi 3 .75m) dhe me nga një korsi emergjence (me gjerësi 3.00 m ) secila.

Rruga është e ndarë në tre segmente: segmenti 1 Tiranë – hyrje e Tunelit të Krrabës, segmenti 2 Tuneli i Krrabës, segmenti 3 dalje e Tunelit – Elbasan. Ndërtimi i kësaj rruge financohet nga Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Abu Dhabi dhe OFID (OPEC) dhe qeveria shqiptare.

Aksi Tiranë-Elbasan ka filluar ndërtimin prej kohësh, ndërsa në pranverën e 2013-ës u hap edhe tuneli i Krrabës, por që prej asaj kohe, mbyllja e punimeve është shtyrë në mënyrë të vazhdueshme dhe janë miratuar disa herë fonde shtesë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme